Munishi kritika për gjendjen e terrenit në “Fadil Vokrri”: Qysh e kemi fushën, e kemi edhe shtetin
Analisti i përhershëm nga emisioni sportiv “Favorit” në T7, Ismet Munishi, ka kritikuar gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku sonte takohen Kosova dhe Izraeli.
Ai vlerësoi se duhet t’i themi mjaft më kësaj dhe të nisim me rregullimin e fushave, sepse gjendja e infrastrukturës e pasqyron edhe shtetin.
“Izraelitët nuk kanë faj që ankohen për fushën. Para 20 vjetëve kam luajtur atje, kanë pasë nja 20 fusha më të mira se kjo që kemi ne. Kjo fushë është turp i madh për njerëzit që janë në pozita. Ne duhet të rregullojmë infrastrukturën sportive, sepse është edhe pasqyrë e shtetit. Qysh e kemi fushën, e kemi edhe shtetin”, tha Munishi.
“Kur janë këto fusha nuk e ki kontrollin 100%. Ne e kemi një veti të keqe sepse nuk e merr fajin askush përsipër. Ne duhet t’i kemi minimumi edhe dy stadiume për Kombëtaren, ku mund të zhvillohen edhe ndeshjet ndërkombëtare.