FFK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e futbollistit 14-vjeçar
Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e futbollistit 14-vjeçar, Drinor Berisha.
Berisha ishte futbollist i shkollës së futbollit të Malishevës.
“E nderuara familje Berisha. Të nderuar drejtues dhe staf i FC Malisheva. Me pikëllim të madh e morëm lajmin për vdekjen tragjike të më të dashurit tuaj, futbollistit të gurpmoshave të reja të FC Malisheva, Drinor Berisha. Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Drinori. Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit dhe ndali në lule të rinisë ëndrrat e tij. Drinori ishte një djalë i talentuar që ndriçoi rrugën e futbollit me pasionin dhe aftësitë e tij. Në këto momente jemi pranë familjes Berisha, me shpresë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Drinorit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar FFK-ja të enjten.
Ngushëllime familjes Berisha i ka shprehur edhe skuadra e FC Malishevës.
“Lajmi për vdekjen tragjike të Drinorit na ka trishtuar e pikëlluar të gjithëve. Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, por edhe për bashkëlojtarët e tij dhe të gjithë neve në klub. Në këto momente të vështira për familjen, lusim Zotin që të gjeni forcën për ta përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta kujtoni Drinorin përherë me krenari. U prehsh në parajsën e paskaj ti shpirt i ëmbël”, ka shkruar ndër të tjera Malisheva.