Daja: Na pret lojë e vështirë, por s’kemi ardhur në Kazakistan për t’u dorëzuar
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur optimist para lojës së nesërme me Astanën, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Trajneri shqiptar është i vetëdijshëm se ekipin kosovar e pret një punë e vështirë, duke e pasur parasysh se e humbi lojën e parë në Prishtinë.
Por, trajneri i kampionëve insiston se skuadra Portokalli do ta japë më të mirën nga vetja për të dalë faqebardhë nga përballja e nesërme në “Astana Arena”.
“Nëse e marrim krahasimin, Astana ka më shumë eksperiencë se ne në garat evropiane. Ka më shumë ndeshje ndërkombëtare se ne. Ne jemi për herë të dytë që marrim pjesë në garat evropiane. Në udhëtim e kemi më të vështirë, pasi Astana ka në favor klimën dhe mbështetjen e publikut. Prandaj presim ndeshje të vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar. Përtej vështirësive edhe ne do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje edhe të rezultatit”, deklaroi Daja para ndeshjes së nesërme, e cila do të fillojë në orën 16:30.
“Sigurisht ne na pëlqen të jemi fitues, por është ndeshje e vështirë. Astana ka ekip goxha të mirë, si në aspektin fizik, ashtu edhe taktik. Por nuk mund të jap përqindje ai që do ta fitojë ndeshjen, sepse futbolli është një sport jo shkencë ekzakte dhe unë përgatis ekipin tim për t’u futur në fushë për ta fituar ndeshjen”, vazhdoi tutje Daja, i cili e shpalli dy herë Ballkanin kampion të Kosovës.
Në konferencë për shtyp i pranishëm ishte edhe futbollisti i Ballkanit, Arbër Potoku.
Ai e pranoi se atë me shokë e pret një lojë e vështirë në Kazakistan, por që pret që me shokët të nxjerrin rezultat të favorshëm.
“Është një përballje e rëndësishme, por në këtë nivel të garave janë të tria rezultatet në opsion. E kishim lojën në Prishtinë, por fati nuk ishte në anën tonë. Po punojmë të përshtatemi me motin dhe orën për t’u kthyer në Prishtinë me kokën lartë”, deklaroi Potoku, i cili insiston se Ballkani duhet t’i kompensojë pikët e humbura në Prishtinë pikërisht ndaj Astanës, nga e cila humbi me rezultat 1:2. /Express