Fushë Kosova dhe Dukagjini shënojnë fitore të rëndësishme
Drita ka hyrë në një seri të rezultateve negative në Albi Mall Superligë.
Pasi pësoi disfatë në derbin kundër Ballkanit, skuadra e trajnerit grek Akis Vavalis ka pësuar humbje si mysafire ndaj Dukagjinit në Klinë, në kuadër të xhiros së 13-të, me rezultat 1:0.
Fituesi i kësaj ndeshje u vendos në minutën e 58-të, kur Blerind Morina shënoi nga penalltia, e cila u konfirmua pas rishikimit në VAR.
E ndërhyrja e VAR-it ishte e nevojshme edhe në minutën e 91-të, kur Drita shënoi gol përmes Albin Prapashticës, por që pas rishikimit në VAR, gjyqtari Genc Nuza e anuloi atë për shkak se paraprakisht Blerim Krasniqi kishte prekur topin me dorë.
Pas kësaj humbje, Drita është në një seri me tri ndeshje pa fitore, me 22 pikë në pozitën e dytë në renditje, ndërsa Dukagjini vazhdon të mbetet i pamposhtur pas 11 xhirosh dhe aktualisht është në pozitën e pestë me 17 pikë.
Fitore në cilësi të vendasit ka realizuar edhe Fushë Kosova, e cila në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan e ka mundur Lirinë, me rezultat 2:0.
Kjo është një fitore e rëndësishme për Fushë Kosovën, pasi paraprakisht kishte pësuar tri humbje rresht.
Dominik Ivkiq kaloi vendasit në epërsi në minutën e 60-të, ndërsa Osman Mëziu shënoi golin e dytë në minutën e 70-të.
Fushë Kosova pas kësaj fitoreje ik nga pozita e fundit dhe tani renditet në vendin e nëntë, me 10 pikë, duke e lënë pikërisht Lirinë të fundit me tetë pikë.