Analiza në “Politico”: Interesat e Moskës nga Gaza në Banjskë
Foto ilustrim
Nga Jamie Dettmer dhe Christian Oliver për POLITICO
Sulmi brutal i Hamasit kundër Izraelit ndodhi në ditëlindjen e Vladimir Putin. Një goditje e tillë katastrofike ndaj sigurisë në Lindjen e Mesme ishte ndoshta një surprizë e mirëpritur për një president rus, prioriteti strategjik i të cilit është të largojë mbështetjen dhe vëmendjen perëndimore nga Ukraina. Një zjarr i madh në Izrael rrezikon të bëjë pikërisht këtë.
Pyetja e madhe është se sa merita duhet t’i jepen Kremlinit për stuhinë e përsosur të krizave (në Izrael, Kosovë, Kaukaz dhe Afrikë) që po shtohen edhe në Amerikë dhe Evropë. Për shumë njerëz, është interesante të shohësh Putinin si një organizator apo “mjeshtër kukullash” që nxit më shumë konflikte sesa Perëndimi mund të përballojë.
Në të vërtetë, nuk i ndezi Putini të gjitha këto kriza, por tani ai është i lumtur t’i hedhë benzinë zjarrit dhe t’i luajë ato në avantazhin e tij. Ai po shijon kaosin. Propagandistët e Kremlinit po përhapin tashmë një narrativë se një luftë në Lindjen e Mesme është një fitore për Rusinë dhe paratë për Ukrainën do të shteren.
“Kjo ishte ndoshta dhurata më e mirë e ditëlindjes për Putinin. Sulmi kundër Izraelit do të ndajë vëmendjen duke pasur parasysh fokusin e natyrshëm të SHBA-së tek Izraeli”, – tha një diplomat i BE-së. “Ne shpresojmë se kjo nuk do të ketë një efekt dramatik në mbështetjen për Ukrainën, por sigurisht, shumë do të varet edhe nga kohëzgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme. Nëse vërtet duam të jemi një Bashkim Evropian gjeopolitik, duhet të jemi në gjendje të përballemi me kriza të shumta në të njëjtën kohë.”
Në Uashington është arritur përfundimi se sulmet e Hamasit ndaj Izraelit do të zvogëlojnë fokusin e SHBA-së në Ukrainë. Kjo, edhe pas pasojave nga rrëzimi javën e kaluar të kryetarit të Dhomës, Kevin McCarthy nga një grup republikanësh të vijës së ashpër, pjesë e të njëjtit grup konservatorësh që kanë kërkuar të shkurtojnë ndihmën për Ukrainën. Gara për të pasuar McCarthy po shpaloset duke e bërë më të vështirë për administratën Biden që të marrë miratimin e Kongresit për çdo ndihmë shtesë që mund të dëshirojë t’i japë Izraelit.
Duke ndjerë kërcënimin se Perëndimi mund të humbasë fokusin ndaj Kievit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy po thekson se mbështetësit e Hamasit, Irani dhe Rusia janë aleatë të ngushtë dhe ndaj po e konsideron luftën kundër Rusisë edhe si luftë kundër militantëve islamikë. “Gazetarët izraelitë që kanë qenë këtu në Ukrainë, në Bucha, tani thonë se panë të njëjtën të keqe kur erdhi Rusia. E njëjta e keqe. Dhe ndryshimi i vetëm është se ekziston një organizatë terroriste që sulmoi Izraelin, dhe këtu është një shtet terrorist që sulmoi Ukrainën.”
Kremlini po gëzohet
Por, sa të përfshirë janë rusët? Le të fillojmë me sulmet e Hamasit. Rusia ka kohë që “dashuron” militantët islamikë dhe lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh dhe zyrtarë të tjerë kanë bërë udhëtime së fundmi në Moskë. Pas sulmeve të së shtunës, rusët nxoorrën menjëherë planet e vjetra për të tërhequr kufijtë e Izraelit atje ku ishin në vitin 1967. Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha se krijimi i një shteti palestinez po pengohej nga “politika shkatërruese” e SHBA-së dhe pothuajse mund të dëgjoje zhurmën e kënaqësisë kur ish-presidenti Dmitry Medvedev i konsideroi sulmet e Hamasit si “një zhvillim të pritshëm” dhe e ktheu zemërimin e tij kundër Perëndimit.
“Në vend që të punojnë aktivisht për zgjidhjen e krizës palestinezo – izraelite, këta budallenj [SHBA] kanë ndërhyrë tek ne dhe po u ofrojnë neo-nazistëve [në Ukrainë] ndihmë në shkallë të plotë, duke vënë kundër njëri – tjetrit dy popujt e lidhur ngushtë” – ironizonte ai.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha me gëzim se fondet për Ukrainën tani do të zvogëloheshin në mënyrë të pashmangshme. “Procesi i pompimit të regjimit të Kievit me armë nga pikëpamja faktike, emocionale, financiare, teknologjike do të hyjë në një prirje rënëse” – tha ai.
A sugjeron kjo se Rusia mund të kishte një dorë të drejtpërdrejtë në këto sulme? Kjo duket e pamundur. Rusia nuk është aq e rëndësishme sa Irani kur bëhet fjalë për armët dhe financimin e Hamasit.
Norman Roule, një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, argumentoi se mbështetja politike e Moskës për Hamasin e inkurajoi grupin të ndërmerrte aksionin e dhunshëm, por tha se çdo rol rus përtej kësaj ka të ngjarë të jetë modest. “Kjo strategji i lejon rusët të pretendojnë se mbështesin një proces paqeje, por dhuna që pason prish rajonin, largon vëmendjen e politikëbërësve nga agresioni rus ndaj Ukrainës dhe tërheq asetet detare të SHBA nga Deti i Zi në Mesdheun lindor” – tha ai për POLITICO.
Flirtet me Hamasin dhe mbështetja për palestinezët e ndihmojnë gjithashtu Putinin për ta stiluar veten si një lojtar të rëndësishëm në një riorganizim global kundër Perëndimit me Kinën dhe Iranin. Vetëm pak ditë më parë, ai tha se qëllimi i Rusisë ishte të “ndërtonte një botë të re”, duke fajësuar Perëndimin për luftën në Ukrainë dhe tha se konflikti po ngrihej mbi “parimet mbi të cilat do të bazohet rendi i ri botëror”.
Irani, aleat i Rusisë dhe furnizuesi kryesor ushtarak jashtë shtetit sigurisht që dëshiron gjithashtu një rend të ri botëror, por është e diskutueshme se sa drejtpërdrejt Teherani i jep urdhra specifike Hamasit. Roule dyshon se Teherani mori pjesë në planifikimin operacional për sulmin. Por kjo “keqkupton mënyrën se si operon Irani dhe rolin e tij dhe se si ai përdor përfaqësuesit”, tha ai. Irani sipas tij “krijon një përbindësh Frankenstein dhe më pas e lëshon atë në fshat”.
Kjo qasje për të ndezur gjeopolitikën globale i përshtatet shumë mirë Rusisë.
Kriza në Kaukaz
Nagorno-Karabakh në Kaukazin Jugor është një tjetër pikë e ndezur ku kritikët e Putinit e akuzojnë atë për nxitjen e qëllimshme të një krize që bëri që më shumë se 100 mijë armenë etnikë të largoheshin nga atdheu i stërgjyshërve të tyre pas një sulmi ushtarak 24-orësh nga Azerbajxhani më 19 dhe 20 shtator.
Këtu përsëri, pamja është komplekse. Në disa qarqe, katastrofa është konsideruar si një shenjë e dobësisë ruse, se Moska nuk mund të garantonte më sigurinë e armenëve përballë një sulmi nga Azerbajxhani i mbështetur nga Turqia.
Rusia, nga ana tjetër, po përpiqet të sugjerojë se “e hoqi qëllimisht nga priza” mbështetjen për armenët e Karabakut, duke grumbulluar presionin tek SHBA dhe BE për eksodin e refugjatëve. Mesazhi nga Moska është se ajo po ndëshkon kryeministrin armen Nikol Pashinyan, duke e lënë atë në baltë për tërheqjen nga aleanca e tij me Rusinë dhe duke u përpjekur ta shtyjë vendin e tij në një trajektore më perëndimore.
Në këtë rast, ka më shumë gjasa që Putin të ketë luajtur një rol. Disa vëzhgues të sprovuar e shohin të imagjinueshme që Azerbajxhani dërgoi trupat e tij pa dritën jeshile nga Moska ose pa rusët që të qetësonin gjërat me Teheranin, një armik tradicional i Azerbajxhanit që ka shprehur prej kohësh frikën për ndryshimet kufitare në Kaukazin e Jugut.
Rastësi ose jo, teksa forcat e Azerbajxhanit përparonin, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ishte në Teheran për bisedime me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë iraniane, duke përfshirë Mohammad Bagheri, shefin e shtabit të forcave të armatosura iraniane dhe shefin e hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare Islamike, Amir Ali Hajizadeh.
Nuk mendohet se Nagorno-Karabaku doli në diskutimet e tyre. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel gjithashtu lë pak dyshime kur thotë se ai mendon se fatkeqësia në Kaukaz ishte faji i Putinit, duke thënë se armenët u “tradhtuan” nga mosveprimi i paqeruajtësve rusë.
Mbytja ballkanike
4 ditë pasi Azerbajxhani mori Nagorno-Karabakun, ishte radha e Ballkanit me një përleshje të ashpër dhe befasuese mes serbëve të armatosur dhe policisë në fshatin Banjska, në komunën e Zveçanit të Kosovës veriore. Kosova ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se ka urdhëruar sulmin, ndërsa të tjerët shohin dorën e ultranacionalistëve serbë të ekstremit të djathtë, të cilët kanë lidhje të ngushta me Moskën.
Kosovarët dhe shqiptarët kanë argumentuar prej kohësh se Rusia është forca kryesore që përpiqet për të shkaktuar një luftë të re në Ballkan. Vetëm muajin e kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Rusia po i shfrytëzonte tensionet në Kosovë për të justifikuar “ëndrrat e saj neo-perandorake”.
Pavarësisht nëse Putini përfshihet drejtpërdrejt apo jo, një shpërthim në Ballkan do të ishte qartë në interesin e Rusisë, duke shtuar një tjetër shpërqendrim të madh për një Perëndim të lodhur që tashmë ka vështirësi të ruajë koherencën dhe unitetin e tij.
Në vitin 2018, në dëshminë para një paneli në Kongres, Henry Kissinger, një ish-sekretar i shtetit i SHBA-së, me shumë njohje për makinacionet gjeopolitike, hodhi poshtë nocionin se të gjitha “krizat individuale nëpër vende të ndryshme” ishin vetëm rezultat i rastësisë.