Agim Ademi e uron Armand Dukën për postin e zëvendës-presidentit të UEFA-s
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, mori sot pozitën e zëvendës-presidentit të UEFA-s.
Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s mbajti mbledhje në Limasol të Qipros, aty ku me vota unanime Duka u zgjodh zëvendës-president.
Duka u bë i pari shqiptar që arrin në një pozicion kaq të lartë në hierarkinë e futbollit evropian.
I pari i FSHF-së është uruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili vlerëson se kjo është një arritje e madhe për futbollin mbarëkombëtar.
Ademi u shpreh i sigurt se Duka, bashkë me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, do të drejtojnë procese të mëdha për evoluimin e mëtutjeshëm të futbollit evropian.
Postimi i plotë nga Agim Ademi:
“Miku im, presidenti i FSHF-së, Armand Duka u zgjodh sot zëvendëspresident i UEFA-s me votë unanime në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv.
Ky është një moment historik për futbollin shqiptar, duke bërë atë shqiptarin e parë në një pozitë të tillë të lartë në futbollin evropian.
Zgjedhja e Dukës si zv/President i UEFA-s është një arritje e madhe për futbollin mbarëkombëtar dhe e hap një dritë të re për progresin e futbollit në rajonin tonë.
Në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë, dua të përgëzoj presidentin Duka për këtë sukses, duke i dëshiruar shumë suksese në këtë detyrë të re e tejet të rëndësishme.
Jam i sigurt se bashkë me presidentin Aleksandër Çeferin, ata do të drejtojnë procese të mëdha për evoluimin e mëtutjeshëm të futbollit evropian”.