HISTORIKE: Armand Duka zgjidhet Zv.President i UEFA-s

HISTORIKE: Armand Duka zgjidhet Zv.President i UEFA-s

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka nga sot do të jetë edhe në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s, duke u bërë i pari shqiptar që arrin në një pozicion kaq të lartë në hierarkinë e futbollit europian.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që zgjodhi pikërisht Presidentin Duka me votim unanim në postin e numrit dy të qeverisë së futbollit europian. Një vendim që vjen natyrshëm duke parë kontributin e madh ndër vite të Presidentit të FSHF-së dhe eksperiencën e tij të vyer në menaxhimin e futbollit tashmë edhe në Europë.

Një tjetër votëbesim i rëndësishëm për numrin 1 të futbollit shqiptar, që pak muaj më parë u zgjodh për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Kongresin e 47-të të UEFA-s që u zhvillua në Lisbonë, Portugali.

Në këto zgjedhje Presidenti Duka arriti një rekord teksa u rendit në vendin e parë në bazë të votave, si më i votuari, duke u zgjedhur me 45 vota në total nga 55 të tilla dhe duke marrë kështu për herë të dytë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane.

Lajmi i sotëm është pa diskutim një arritje e madhe jo vetëm për futbollin shqiptar, por për të gjithë Shqipërinë.

Shpërndaje në: