Studimi e lidh mbipeshën me memorien e dobët
Lidhja në mes të peshës dhe mosfunksionimit në zonat e trurit nuk është e re, dhe tani një studim i vogël në Angli ka zbuluar se pjesëmarrësit me indeks më të lartë të masës trupore kishin memorie më të keqe episodike kur u testuan.
Derisa studiuesit thonë se ata nuk janë duke dëshmuar domosdo se njerëzit me mbipeshë harrojnë më shumë, sugjerimi se kujtimet e paplota ose të paformuara të ushqimeve të mëparshme mund të ndikojnë në mbingrënie.
Teoria, thanë ata, është e bazuar në studimet e mëparshme të cilat tregojnë se obesiteti e ka një efekt negativ në hipokampus, i cili është i përfshirë në memorie dhe të mësuar, dhe lobin ballor, i cili është i përfshirë në vendimmarrje, zgjidhje të problemeve, dhe emocione. Nuk ka shumë prova paraprake, megjithatë, që obesiteti mund të ndikojë në kujtesë.
“Është e mundur që trashja mund ta vështirësojë përcjelljen e asaj se çfarë dhe sa keni ngrënë, potencialisht duke e bërë më të mundshme që të hani tepër,” tha dr. Lucy Cheke, një studiuese në Universitetin e Cambridge, në një deklaratë për shtyp, transmeton Koha.net. “Mundësia që mund të ketë deficite episodike të memories tek individët me mbipeshë është një shqetësim, sidomos duke pasur parasysh rritjen e provave se memoria episodike mund ta ketë një ndikim të konsiderueshëm në sjelljen e të ushqyerit dhe rregullimin e oreksit.”
Për këtë studim, të publikuar në Quarterly Journal of Experimental Psychology, studiuesit i rekrutuan 50 pjesëmarrës në mes të moshës 18 dhe35-vjeçare me BMI midis 18 dhe 51 për një test çfarë-ku-kur të memories episodike. Në mesin e pjesëmarrësve, 26 prej tyre e kishin një BMI më pak se 25 dhe u konsideruan të dobët, ndërsa 24 e kishin një BMI mbi 25 dhe u konsideruan ose me mbipeshë ose obesë. BMI-ja prej 30 konsiderohet obese.
Nga pjesëmarrësit e studimit u kërkua ta bëjnë një gjueti të kompjuterizuar të thesarit duke i fshehur gjërat, dhe pastaj në testet e memories gjatë dy ditëve në vijim u kërkuan t’i kujtojnë gjërat të cilat i kishin fshehur, ku dhe kur.
Në përgjithësi, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit me BMI të lartë performuan më dobët në këto detyra, por nuk performuan më keq ndërkohë që vështirësia e detyrave u rrit. Kur u konsideruan ndaras, mosha, vitet e arsimimit dhe gjinia nuk parashikuan dallime në performancë, por mund ta luajnë një rol të vogël kur u konsideruan me BMI-në, raportuan hulumtuesit.
“Gjithnjë e më shumë, po fillojmë të shohim se memoria – veçanërisht memoria episodike, lloji i memories ku mendërisht e rijetoni një ngjarje të kaluar – është gjithashtu e rëndësishme”, tha Cheke, përcjell Koha.net. “Se me sa gjallëri e kujtojmë një vakt të kohëve të fundit, për shembull, drekën e sotme, mund ta bëjë një ndryshim në atë se sa të uritur ndihemi dhe sa kemi të ngjarë ta hamë atë çokollatë të shijshme më vonë”.