Huliganët e Rumanisë bojkotojnë ndeshjen ndaj Kosovës, arsyetimi i tyre është qesharak

Huliganët e Rumanisë bojkotojnë ndeshjen ndaj Kosovës, arsyetimi i tyre është qesharak

Kombëtarja e Kosovës do të luajë nesër (e martë) në udhëtim ndaj Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Përballja ndaj “Dardanëve” është rikthyer sërish në temë kryesore në Rumani, siç kishte ndodhur edhe pas hedhjes së shortit për grupet kualifikuese, që vendosën të dy shtetet në Grupin I.

Një grup huliganësh në Rumani, i quajtur “Honor et Patria”, ka njoftuar se do ta bojkotojë këtë ndeshje. Arsyetimi i tyre është qesharak, pasi ata nuk e njohin shtetin e Kosovës, si dhe sipas tyre, kjo ndeshje nuk duhej të ndodhte asnjëherë.

“Duke respektuar vendimin të marrë në fillim të kualifikimeve për të bojkotuar dy ndeshjet me të ashtuquajturën ‘kombëtare’ të Kosovës, të martën ne nuk do të jemi në stadium. Megjithatë, ne duam t’u bëjmë thirrje shikuesve që do të jenë në stadium. Mbështetni grupet që do të jenë të pranishme në pohimin e së vërtetës edhe nëse kjo nuk i shkon për shtat mafisë së UEFA-s: për Rumaninë, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe kjo ndeshje ‘ndërkombëtare’ nuk do të duhej të ndodhte kurrë”, thuhet në njoftimin e këtij grupi në “Facebook”.

Kujtojmë se Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye, në Rumani ishte bërë thirrje që të mos zhvillohen ndeshjet nda Kosovës – kur ishte mësuar shorti.

Megjithatë, propozimet e tyre ishin refuzuar menjëherë dhe Rumania detyrohet të presë Kosovën, ashtu si çdo kombëtare tjetër.

Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës do të zhvillohet në “National Arena” të Bukureshtit, me fillim prej orës 20:45.

Ndeshja i takon raundit të gjashtë në Grupin I. Pas pesë ndeshjeve të para, Rumania ka mbledhur nëntë pikë dhe është e dyta në renditje – kurse, Kosova është e pesta me katër pikë.

“Dardanët” ishin takuar me rumunët në qershor të këtij viti. Ndeshja e zhvilluar në “Fadil Vokrri” ishte mbyllur baras dhe pa gola.

Shpërndaje në: