Trajneri i Galatasarayt e komenton transferimin e Rashicës te klubi rival, Besiktas

Trajneri i Galatasarayt e komenton transferimin e Rashicës te klubi rival, Besiktas

Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk e donte me ngulm Milot Rashicën në ekipin e tij.

Trajneri turk kishte mbetur i impresionuar me paraqitjet e yllit kosovar në Stamboll në edicionin e kaluar, kur ai ishte i huazuar nga Norwich City.

Ndonëse dukej se vushtrriasi do të përfundonte prapë në klubin Kuq e Verdhë, gjërat ndryshuan sa hap e mbyll sytë.

Ish-futbollisti i Vitesses dhe i Werder Bremenit përfundoi në Besiktas, i cili megjithatë nuk e ka zyrtarizuar ende transferimin e tij.

E pas ndeshjes së mbrëmshme në Ligën e Kampionëve ndaj Olimpija Ljubljana, Buruk e ka komentuar transferimin e përfaqësuesit kosovar tek rivali lokal.

“Unë pas lojës sapo e dëgjova lajmin për Rashicën. Ne i kemi disa opsione në krahun e djathtë, kemi shumë mundësi atje”, deklaroi Buruk.

Rashica pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me ekipin Bardhezi, ndërsa do të paguhet 2 milionë euro në vit.

Besiktasi thuhet se do t’i paguajë 5 milionë euro për kartonin e futbollistit ofanziv.

Shpërndaje në: