Java e albanologjisë, thërret referuesit
Java e Albanologjisë, do të mbahet nga data 8 deri më 12 maj dhe për këtë vit, propozon për temë boshte të sajën titullin “Trashëgimia kulturore, zhvillimi i qëndrueshëm dhe turizmi”, shkruan KultPlus.
Dega e Etnologjisë e Instituti Albanologjik të Prishtinës në kuadër të aktivitetit të përvjetshëm ‘Java e Albanologjisë’, për vitin 2017, propozon për temë boshte të sajën titullin “Trashëgimia kulturore, zhvillimi i qëndrueshëm dhe turizmi”.
Turizmi dita ditës po bëhet motiv i rëndësishëm për mobilitet të njerëzve. Kureshtja, dëshira për të njohur të panjohurën, aventura, dëfrimi e relaksimi janë pjesë përbërëse të motivimit turistik.
Duke u bërë një praktikë tejet e përhapur, ndikimi i turizmit është tashmë evident në jetën e përditshme të njerëzve por edhe të vendeve nisur nga niveli lokal deri në atë nacional e përtej. Shumë pika, apo destinacione të caktuara nëpër botë janë shndërruar, siç thotë John Urry, në atraksion të “Tourist Gaze” ku procesohen nivele të ndryshme dhe domethënëse identifikimi e identiteti. Si rrjedhojë, shikuar antropologjikisht, është më se e debatueshme se çka në të vërtetë është e çka servohet si “autentike” në ofertat turistike, apo çka konsiderohet si e tillë nga turistët, çka në të vërtetë kërkojnë ata. Kjo duket të jetë me shumë rëndësi për zhvillimin e të ashtuquajturit turizëm i qëndrueshëm me ç ‘rast bëhen përpjekje që të ruhet një trashëgimi dhe promovohet turizmi përmes asaj trashëgimie.
Historia e turizmit kishte filluar si udhëtim i aristokratëve në kërkim të vendeve atraktive e cila arriti deri te përhapja masive e dëshirës për udhëtim, pra turizmit masiv. Nisur nga ky fakt, sot grupacione të ndryshme shoqërore si: mosha, gjinia, gjendja ekonomike, etj, përveç tjerash, identifikohen edhe me mënyrën e përzgjedhjes së turizmit që ata praktikojnë.
Si qëndron çështja e turizmit në kulturën tonë? Shpresojmë që kjo temë do të jetë sfiduese për kontributin tuaj në aspekte të ndryshme lidhur me turizmin.
Si tema orientuese janë propozuat: Historia e turizmit, Turizmi shqiptar dikur dhe sot, Trashëgimia natyrore dhe turizmi, Trashëgimia kulturore dhe turizmi (traditat: veshja, zejet, ushqimi, ndërtimtaria etj), Qëndrueshmëria, komunitetet lokale dhe turizmi, Turizmi urban, rural, malor, Festivalet dhe turizmi, Strukturat sociale dhe turizmi, Religjioni, pelegrinazhet dhe turizmi, Turizmi dhe nacionalizmi etj.
Propozimet e temave do të duhej të përfshijnë: emrin dhe mbiemrin e autorit, institucionin prej nga vjen, titullin dhe abstraktin e punimit deri në 300 fjalë. Propozimet e juaja mund t’i dërgoni në email: [email protected] deri më 15 prill.
Konfirmimin për pranimin për pjesëmarrje do ta merrni pas një jave.
Java e Albanologjisë, do të mbahet nga data 8 deri më 12 maj. Ndërsa data e saktë për ditën e etnologjisë brenda kësaj jave ende nuk është caktuar. Për këtë do të ju informojmë me kohë. /KultPlus.com