Në Shqipëri zjarre masive, plantacione ullinjsh të djegura
Zjarret janë kthyer në një dukuri kronike edhe në Shqipëri. Temperaturat e larta 43-44 gradë Celsius kanë shkaktuar zjarre masive në jug.
Vala e nxehtë Cerberus, e shtrirë në Europën Jugore, ka përfshirë prej dy javësh edhe Shqipërinë. Ajo arriti kulmin e saj të martën (25.07) kur të nxehtët u rrit në 43 – 44 gradë Celsius duke shkaktuar vatra të reja zjarri. Burime zyrtare nga Agjensia e Emergjencave Civile bëjnë me dije se ka dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk ka viktima.
Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve të raportojnë sa më parë edhe shpërthime të vogla zjarresh për të shmangur përhapjen e tyre. Zjarret janë përhapur në Gjirokastër, Memaliaj, Vlorë, Tepelenë, Tiranë. Në Vlorë janë djegur plantacione ullinjsh. Situata është problematike në zonat pyjore, në disa fshatra të rrethit të Fierit ku ka rrezik që zjarri të dalë jashtë kontrollit.
Angazhohen Forcat e Armatosura
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi angazhimin e Forcave të Armatosura dhe helikopterëve Cougar për të vënë situatën në kontroll sidomos në kushtet kur era e fortë riaktivizon vatrat e shuara dhe hap vatra të reja zjarresh duke rrezikuar zonat e banuara nga mbërritja e flakëve.
Zjarret- dukuri kronike në Shqipëri
Shqipëria përfshihet nga zjarret në mënyrë kronike edhe kur në stinën e verës nuk ka qenë e pranishme si sivjet vala e jashtëzakonshme Cerberus. Dy vjet më parë, flakët u përhapën nga veriu në jug duke shkaktuar 163 vatra zjarri agresive dhe me intensitet të lartë. Në kushtet e kapaciteteve modeste, Shqipëria u mbështet nga BE, që aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile. Helikopterë të fuqishëm zjarrfikës dhe 50 efektivë ushtarakë, të specializuar në fushën e emergjencave civile kontribuan për të vënë në kontroll situatën e veshtirë.
BE aktivizoi këtë mekanizëm edhe në verën e vitit 2017 kur mbështeti fuqimisht Shqipërinë me avionë zjarrfikës dhe harta satelitore Kopernikus, për të identifikuar vatrat e zjarrit dhe mundësitë për t’i shuar ato.
Zjarre të qëllimshme, hetime për zjarrvënës
Situata e vështirë, që përballon Shqipëria nga zjarret kronike në stinën e verës nuk shkaktohet vetëm nga temperaturat e larta mbi 40 gradë Celsius por edhe nga zjarrvënës të qëllimshëm. Në rrethin e Vlorës, Prokuroria ka filluar hetimet për zjarrin masiv që përfshiu muajin e kaluar landfilldin e grumbullimit të mbetjeve urbane për dy ditë rresht. Opozita e ka cilësuar zjarrin në këtë landfilld ”krim mjedisor me pasoja të rënda”. Ajo ka bërë përgjegjëse qeverinë për “papërgjegjshmëri dhe neglizhencë ne menaxhimin e situatës.” /DW