Barcelona anulon ndeshjen me Juventusin, lojtarët janë prekur nga një virus
Barcelona ka konfirmuar se miqësorja e tyre parasezonale në SHBA kundër Juventusit është anuluar për shkak të një virusi që ka prekur disa nga lojtarët e tyre.
Skuadra spanjolle tha në një deklaratë se ndeshja, e planifikuar të luhet në Levi’s Stadium, Kaliforni, të shtunën, nuk do të zhvillohet.
Më shumë se 10 persona janë prekur brenda njësisë së ekipit të parë – duke përfshirë lojtarët dhe stafin.
“FC Barcelona njofton se ndeshja kundër Juventus FC, që pritet të luhet më 22 korrik në orën 19:30 me orën lokale në stadiumin Levi’s që korrespondon me Soccer Champions Tour, është anuluar. Një grup i rëndësishëm i skuadrës së FC Barcelona është prekur nga një gastroenterit viral”, thuhej në njoftimin e katalonasve.
Kjo ndeshje ishte e para e Barcelonës si pjesë e turneut të tyre parasezonal në SHBA përpara sezonit 2023-24.
Skuadra e Xavi është e radhës që do të luajë me Arsenalin më 27 korrik, e ndjekur nga ndeshjet kundër rivalëve Real Madrid dhe AC Milan.
Ata më pas përballen me Tottenham Hotspur muajin e ardhshëm në Estadi Olimpic Lluis Companys përpara ndeshjes së tyre të parë në sezonin e ri të La Ligas ndaj Getafes më 13 gusht.