Broja një hap larg skuadrës së njohur angleze
Armando Broja është pranë kalimit te skuadra e West Ham-it. Në Itali janë të sigurt se sulmuesi kuqezi do të largohet nga Chelsea në këtë merkato vere.
Sipas “Gazzetta dello sport”, fituesit e Ligës ë Konferencës do të paguajnë 35 mln Euro për kartonin e 21-vjeçarit, i cili është lënë në Londër nga trajneri Mauricio Poçetino, me blutë që kanë nisur turin parasezonal në SHBA.
Trajneri Dejvid Mojes e konsideron sulmuesin kuqezi si afrimin perfekt, që do t’i japë më shumë saktësi ofensivës së West Ham-it.
21-vjeçari u dëmtua më 13 Dhjetor 2022 në miqësore kundër Aston Vilës dhe kanë kaluar 7 muaj. Edhe pse dëmtimi qe i rëndë, në ligamentin e gjurit të djathtë, kjo periudhë kohore është e mjaftueshme për një futbollist të jetë në 100% të gjendjes së tij.
Pas lajmit se nuk do të udhëtonte në SHBA, Broja postoi një foto në Instagram, me mbishkrimin “Durim”.