Kurti premtoi investitorë nga Greqia, në Kosovë erdhën dy kompani greke që përfituan tenderë milionësh

Kurti premtoi investitorë nga Greqia, në Kosovë erdhën dy kompani greke që përfituan tenderë milionësh

Në vitin 2022 kryeministri Albin Kurti pati qëndruar në Symi të Greqisë, ku veç tjerash, pati deklaruar se kishte takuar 30 biznesmenë- investitorë potencial në Kosovë. Prej atëherë, nuk ka asnjë lajm se ku është të paktën një prej këtyre 30 investitorëve të huaj, Sidoqoftë, tani jemi një vit më vonë dhe Kurti ka udhëtuar përsëri drejt Greqisë, shtet që nuk e ka njohur Kosovën për të marrë pjesë në simpoziumin e partive të majta të Evropës, shkruan Periskopi.

Si rezultat i takimeve të vjetshme të Kurtit, nuk është se kemi parë ndonjë investim konkret.  Meqenëse kryeministri thoshte se këto takime nuk i bën  as me “tupan” e as me “vuvuzela”, por se përpjekjet e tij ishin jopublike e që synonin të jepnin rezultat, duket se  dështoi të bindë ndonjë investitor nga ato takime që të investojë në Kosovë.

“Kam takuar afër 30 biznesmenë të ndryshëm për çështjen e investimeve në Kosovë. Këta biznesmenë nuk kanë qenë të gjithë grek, një pjesë kanë qenë evropian e amerikan të cilët janë në Greqi tashmë. Përpjekjet më të mëdha që i bëjë dhe jopublike janë në fushën e investimeve të huaja. Pra sa më shumë ta paraqes Kosovën si një vend atraktiv për investime por këto takime në pjesën më të madhe të tyre nuk i bëjë as me ‘tupan’ as me ‘vuvuzela’ për shkak se është e dëmshme”, deklaroi Kurti.

Por, Periskopi për hir të korrektësisë dhe raportimit të drejtë informon publikun se megjithatë janë dy “investitorë” potencial, veçse, ndryshe prej natyrës së investimeve të huaja, këto kompani po korrin fryte na shteti i Kosovës.

“TUV HELLAS (TUVNORD) SA” dhe kompania “ERGOTEM SA” janë kompanitë greke që janë futur në tregun e tenderëve të Kosovës, pas vizitës së Kurtit në Greqi. Të dyja në tregun energjetik, konkretisht në Korporatën Energjetike të Kosovës- KEK.

Derisa kryshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ende nuk ishte burgosur nën dyshimin për korrupsion, kompania “ERGOTEM SA” nga Greqia lidhi kontratë për herë të parë në prill të këtij viti më KEK-un.

Kontrata quhej: “Pllakat rrëshqitëse në PF- Kanalet e mullinjve të thëngjillit” Tenderi ishte realizuar më procedurë të hapur dhe kishte vlerën 1,621,544.20 euro (mbi një milion e gjashtëqind mijë euro).

Për punët e njëjta, që sipas KEK dolën në këtë kontratë, kompanisë së njëtë i janë dhënë mjete shtesë, duke u lidhur një tjetër kontratë me negocim në vlerë prej 52,312.94 eurove.(mbi pesëdhjetë e dy mijë euro).

 

Ndonëse kjo kompani mori tenderin e parë në prill, ajo është regjistruar në Kosovë si Dega e Shoqërisë së Huaj. Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës –ARBK, ajo është regjistruar para dy javësh, më datë 6 korrik 2023.

Përfaqësues ligjor i saj në Kosovë është Lulzim Beqiri, kurse drejtor menaxhues Nikolaos Kalaitzis.

Periskopi ka gjetur se Lulzum Beiqi në mars të vitit të kaluar ishte emëruar anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Infrakos”. Por, i njëjti pas pak muajve kishte dhënë dorëheqje.

Kompania tjetër greke “TUV HELLAS (TUVNORD) SA”, në mars kishte lidhur një kontratë me negocim më KEK-unë në vlerë prej 628,425.00 eurove(mbi gjashtëqind e dy mijë euro). Kontrata quhet “Mbikëqyrja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projekt dizajnit, furnizimit dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e kaldajave”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është duke qëndruar në Greqi për të marrë pjesë  në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI. Sipas komunikatës së zyrës së tij, në këtë simpozium po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.

Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit. /Periskopi/

Shpërndaje në: