Dyshime nga Danimarka për gjyqtarët kosovarë të hendbollit

Dyshime nga Danimarka për gjyqtarët kosovarë të hendbollit

“TV 2 ka kontaktuar dy gjyqtarët. Ata mohojnë të ishin të përfshirë në kurdisje. Arsim Vitaku po ashtu ka thënë se nuk e di pse ai dhe partneri i tij, Erdoan Vitaku, nuk kanë referuar që nga janari. Sipas tij, ai nuk ishte në kontakt me EHF-në”, ka shkruar TV 2.

Mediumi danez, TV2, ka publikuar një shkrim ku janë paraqitur dyshime për kurdisje të ndeshjeve të hendbollit të cilat i kanë drejtuar arbitrat kosovarë, Arsim e Erdoan Vitaku. Dyshja Vitaku ka shumë vjet që drejton ndeshje evropiane, duke përfshirë edhe ndeshje të nivelit të lartë.

Ky medium ka përmendur fillimisht dyshimet e ish-trajnerit të skuadrës GOG, Nicolej Krickau, për kurdisje të ndeshjes me Kadetten Schaffhausen, në vitin 2020. Ajo ndeshje ishte hetuar për kurdisje, ndërsa Krickau kishte kritikuar paraqitjen e arbitrave Vitaku.

EHF-ja kishte hetuar ndeshjen, por nuk kishte gjetur ndonjë gjë të dyshimtë. Dyshja kosovare e gjyqtarëve më pas ishte kthyer në skenën evropiane. Sipas mediumit danez gjyqtarët kosovarë kanë drejtuar edhe disa ndeshje të dyshimta. Kjo është bërë e ditur në kuadër të episodit të dytë të dokumentarit “ndeshjet e dyshimta”, që ka të bëjë me dyshimet për kurdisje në hendboll.

Është shkruar për një ndeshje të kualifikimeve për “Euro 2024” në mes të Holandës dhe Belgjikës dhe një ndeshje të Ligës së Kampionëve të hendbollisteve mes Kastamonut dhe Metzit.

Sipas mediumit danez, dyshja e gjyqtarëve ishte në “listën e zezë” të disa bastoreve. Sa herë që ata ishin të deleguar, është ndezur alarmi.

Mediumi danez ka shkruar se Arsim e Erdoan Vitaku në janar të këtij viti kanë drejtuar ndeshjen e Ligës së Kampionëve për hendbolliste mes Vipersit norvegjez dhe Rail Cargo të Hungarisë. Prej atëherë më nuk kanë drejtuar ndeshje evropiane.

EHF-ja nuk është përgjigjur në pyetje nëse mosdelegimi i tyre ka të bëjë me dyshimet për kurdisje.

“TV 2 ka kontaktuar dy gjyqtarët. Ata mohojnë të ishin të përfshirë në kurdisje. Arsim Vitaku po ashtu ka thënë se nuk e di pse ai dhe partneri i tij, Erdoan Vitaku, nuk kanë referuar që nga janari. Sipas tij, ai nuk ishte në kontakt me EHF-në”, ka shkruar TV 2.

Ky medium ka shkruar për dyshimet për kurdisje në hendboll edhe në të kaluarën. Ka përmendur emra të shumtë.

Ka pasur dyshime për kurdisje edhe në hendbollin kosovar. Madje një gjyqtar është dënuar nga FHK-ja, pasi kishte bërë përpjekje të kurdiste një ndeshje në favor të një skuadre me të cilën është i afërt.

Ndërkohë ka dyshime të shumta për kurdisje në futboll e basketboll. Së fundi arbitri i basketbollit Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati janë arrestuar si të dyshuar për kurdisje. Pas 48 orëve në mbajtje atyre u është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj. Në futboll, media në Francë kanë përmendur Llapin për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve. Ndërkohë në futbollin kosovar për kurdisje e marrëveshje jolegale janë të dyshuara shumë skuadra.

Arsim e Erdoan Vitaku vlerësohen prej gjyqtarëve të hendbollit më të mirë në vend. Emri i tyre është përmendur edhe në të kaluarën nga mediat daneze. Por ata kishin mohuar kategorikisht përfshirjen dhe kishin vazhduar të drejtojnë ndeshje në Evropë.

Shpërndaje në: