Tahir Batatina pas shkarkimit të Giresse: Jam i gatshëm ta udhëheq Kombëtaren e Kosovës
Sot Federata e Futbollit e Kosovës ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin francez, Alain Giresse.
Pas rezultateve të dobëta në dy ndeshjet e qershorit të vlefshme për kualifikim në Kampionatin Evropian 2024, FFK vendosi që ta ndërpres bashkëpunimin me trajnerin francez, shkruan Periskopi.
Kosova mori një barazim të zorshëm ndaj Rumanisë në Prishtinë pa gola në 0:0, kurse ndaj Bjellorusisë që u zhvillua në Hungari humbi me rezultatin final 2:1.
Njëherit kjo humbje ishte edhe goditje e madhe që Kosova ta humb mundësinë e kualifikimit për në Evropian.
Për të njohur më shumë rreth asaj se a ishte vendim i drejtë shkarkimi i trajnerit Giresse në këtë kohë dhe se kush duhet të mbajë përgjegjësi për lojën e dobët të Kosovës, Periskopi ka kontaktuar trajnerin kosovar të skuadrës së Llapit, Tahir Batatinën.
Batatina fillimisht tha se shkarkimi ishte i natyrshëm dhe se fajtori kryesor për rezultatet e dobëta të ‘Dardanëve’ janë trajneri dhe stafi i tij.
“Shkarkimi veç sa ndodhi dhe ishte i natyrshëm, fajtori kryesor është selektori dhe i gjithë stafi, por duhet shtuar se përgjegjësi ka edhe drejtori i Kombëtares”, tha Batatina për Periskopin.
Ai tutje tha se selektori i ardhshëm duhet të jetë shqiptar dhe nuk e përjashtojë mundësinë se edhe vetë Batatina mund të jetë trajner i ardhshëm i Kosovës.
“Mendoj se selektori i ardhshëm duhet të jetë shqiptar, dhe natyrisht se unë jam i gatshëm në rast se me ofrohet mundësia ta marr përgjegjesinë ta udhëheq Kombëtaren e Kosovës”, u shpreh trajneri i Llapit.
Kujtojmë se Kosova nën drejtimin e Alain Giresse ka 14 ndeshje të zhvilluara, nga to 4 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje. Ndeshja e parë e Kombëtares sonë ishte ajo ndaj Burkina Fasos që u mbyll me rezultatin 5:0.|PERIKSOPI – Ideal Sufaj|