“Brenda ose jashtë”, Kosovës i kryen punë veç fitorja ndaj Rumanisë për ta vazhduar ëndrrën
Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte një ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme.
“Dardanët” në fakt do të përballen me rivalin direkt për vendin e dytë në Grupin I të kualifikimeve për Euro 2024, Rumaninë.
Verdhekaltrit nuk e nisën dhe aq mirë këtë kampanjë duke i regjistruar dy barazime në muajin mars, kundër Izraelit dhe ndaj Andorrës.
Nga ana tjetër, rumunët i shënuan dy fitore, ndaj Andorrës dhe Bjellorusisë.
E gjendur katër pikë prapa Rumanisë, Kosova nuk ka alternativë tjetër pos fitores, nëse dëshiron ta vazhdojë ëndrrën e kualifikimit në Kampionat Evropian.
Me një fitore eventuale, Kosova do t’i afrohej në vetëm një pikë Rumanisë, të cilin e ka rival kryesor në grup pasi Zvicra është përpara dy kombëtareve me kualitet.
Në të kundërtën, nëse humb sonte, ekipit të Alain Giresse do t’i zbehen dukshëm gjasat e kualifikimit, për të mos thënë do t’i humbin krejt gjasat për ta realizuar ëndrrën.
Për këtë janë të vetëdijshëm edhe lojtarët e Kosovës, të cilët do ta japin sonte edhe atomin e fundit për t’i mbajtur pikët në shtëpi.
Ata do të llogarisin në përkrahjen e tifozëve të tyre besnikë, “Dardanët” për ta arritur këtë qëllim, shkruan “Gazeta Express”.
Një lajm i keq për Kosovën është se për këto ndeshje nuk do të mundë të llogarisë në të lënduarin Elbasan Rashani, e në dyshim është edhe prezenca e Edon Zhegrovës.
Natyrisht, mungesa ka edhe Rumania.
Ndeshja e sontme do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 20:45