Albin Kurti, ose si ta lesh fillikat Kosovën përballë botës

Albin Kurti, ose si ta lesh fillikat Kosovën përballë botës

Nga Skënder Minxhozi

Episodi më i fundit i krizës së komunave të Veriut flet për një pengmarrje policësh kosovarë nga njësitë speciale serbe. Pranga plastike, shenja dhune, rrëmbime në stil mafioz, akuza të ndërsjella dhe në sfond përdorim i skajshëm politik i ngjarjes për të ndezur edhe më tej një situatë edhe ashtu të ndërlikuar. Kjo është panorama aktuale në kufirin Kosovë-Serbi.

Nuk është aspak çudi që kapja e policëve kosovarë të jetë pjesë e hakmarrjes së Beogradit për arrestimin nga ana e autoriteteve të Kosovës, të kriminelit serb Milun Milenkovic- Llune, i cili akuzohet se ishte epiqendra e sulmit mbi policinë kosovare dhe forcat e KFOR në Zveçan. Por nuk përjashtohet gjithashtu që ky akt të ketë prapavijë të pastër propogandistike, për të pompuar tezën se Kosova po i fryn zjarrit duke dërguar njerëz të armatosur në territorin serb. Kërkohet që të insistohet mbi linjën refraktare dhe strategjinë e tensionit të Albin Kurtit, si një politikan që nxit sherrin mes dy vendeve. Dhe duhet thënë se serbët po ja dalin. Në vend që të dënojnë aktin, ndërkombëtarët marrin kohë dhe presin. Një mesazh i qartë ndaj linjës së ashpër të Prishtinës zyrtare.

Problemi në fakt është më i vjetër sesa episodi i rrëmbimit të policëve kosovarë nga forcat serbe. Daton më konkretisht prej momentit kur kryeministri Kurti vendosi të dërgojë me forca speciale krerët lokalë shqiptarë të komunave me shumicë serbe. Një operacion që siç shihet, i kushtoi prishjen me amerikanët dhe evropianët, duke vënë njëherësh në rrezik jete ushtarët e forcës ndërkombëtare por edhe anëtarët e aparatit të sigurisë kosovare.

Tashmë qeveria e Kosovës ka krijuar me duart e veta një vatër tensioni e cila dy javë më parë thjesht nuk egzistonte në këtë pjesë të kontinentit. Është një shërbim negativ që i bëhet paqes e sigurisë në Ballkan, është njëherësh një shishe benzine krejt e panevojshme mbi zjarrin e luftës që digjet prej një viti në tokën evropiane.

Albin Kurti thotë fjalë që tingëllojnë si muzikë për veshët e shumëkujt në të dy anët e kufirit shqiptar. E quajnë gjeni, e adhurojnë dhe e ndjekin pas në mënyrë të verbër. Patriotizmi puritan ngatërrohet shumë shpesh me të qenit inteligjent dhe vizionar. Ikja nga realiteti dhe predikimi i parreshtur i një bote të idelizuar, është tipari bazë i kësaj qeverisjeje që ngjan si një psallm fetar më shumë sesa si menaxhim i sfidave konkrete që kalon vendi nga një strukturë ekzekutive. Duke parë horizontin dhe të ardhmen, Albin Kurtin rregullisht  neglizhon aktualitetin, rradhën e angazhimeve dhe prioritetet e një lideri që drejton punët e përditshme të një shteti të brishtë dhe pa resurset e nevojshme përballë një fuqie të vjetër ballkanike si Serbia. Oratoria patriotike e Albin Kurtit, viktima dhe fansi më i parë i të cilës është vetë Albin Kurti, po krijon një situatë tensioni në raportet e Kosovës me të tretët, që është krejt e panevojshme e joproduktive.

 

Para se ta duartrokisni këtë linjë politike ëndërrimtare, të veshur me retorikën e Rilindjes Kombëtare të para dyqind vjetëve, e që njëherësh është edhe deklamative, ideologjike dhe manipulative për publikun mbarëshqiptar – para se ta përqafoni këtë udhëtim perfekt drejt krizës dhe bllokimit, gjykojeni Kurtin dhe atë çka ai po kërkon të bëjë, me logjikën e ftohtë të kontekstit ku ndodhet Kosova e sotme, me nevojat që ajo ka, me krizat e ndërlikuara konkrete që duhet të zgjidhë sot. Jo pas njëqind vitesh.

Kosova është një shtet i ri, i dobët dhe i paintegruar në sistemin ndërkombëtar të institucioneve dhe kombeve, një shoqëri e varfër dhe e pazhvilluar (si ajo e Shqipërisë), që ka nevojë të patjetërsueshme për mbështetjen perëndimore. E nëse Shqipëria ka më së shumti nevojën e perfeksionimit të demokracisë që aplikon prej tre dekadash, Kosova ka si shtesë edhe urgjencën e garantimit të sigurisë, integritetit territorial dhe konsolidimit të shtetit. I duhet pra një qeverisje e mençur, elastike dhe e aftë të manovrojë në shtegun e ngushtë të historisë, duke mos i hequr sytë nga miqtë që e krijuan si shtet, e jo duke i quajtur ata të paditur e naivë!

Duke e vënë me dhunë shtetin e tij në kurs përplasjeje me SHBA, Evropën e Bashkuar dhe së fundi edhe Shqipërinë, Albin Kurti po i ofron Kosovës një recetë perfekte krize dhe risku. Ai po sharron me zell degën ku është ulur. Ta lesh fillikat vendin tënd në kohëra kaq të zymta për të gjithë kontinentin nuk është politikë e mençur. Është politikë e papërgjegjshme.

Shpërndaje në: