Vinicius në pritje të vendimit, mund t’i mungojë Real Madridit në fillim të sezonit tjetër
Ndërsa i gjithë fokusi është se si do të ndëshkohen tifozët që ofenduan Vinicius Juniorin, vetë sulmuesi do të përballet me një pezullim për shkak të kartonit të kuq.
Braziliani u ndëshkua direkt me karton të kuq të dielën, në ndeshjen që Real Madridi e humbi ndaj Valencias, pasi goditi në fytyrë lojtarin kundërshtar, Hugo Duro.
Sipas “Mundo Deportivo”, pezullimi i zakonshëm për incidente të tilla është së paku dy ndeshje. Megjithatë Vinicus është në rrezik të një dënimi që do t’i vlente edhe për sezonin e ardhshëm.
Nëse Komisioni Disiplinor vendos se ishte një veprim agresiv ndërkohë që loja ishte ndërprerë, atëherë ai mund të dënohet me 4 deri në 12 ndeshje mos-lojë.
Në rastin më të mirë, 22-vjeçari mund të dënohet me suspendim për 2 deri në 3 ndeshje.
Me vetëm tre ndeshje të mbetura deri në përfundimin e sezonit në La Liga, Viniciusit mund t’i jepen pushime të parakohshme.
Pasi ka luajtur më shumë minuta se kushdo tjetër dhe se Real Madridi nuk është më në garë për ndonjë trofe, trajneri Carlo Ancelotti mund të mos jetë i shqetësuar për pushimin e brazilianit.