FIGC kërkon që Juventusit t’i hiqen 11 pikë
Juventusi mund ta pësojë një tjetër goditje jashtë fushës së blertë.
Federata Italiane e Futbollit ka kërkuar që “Zonjës së Vjetër” t’i hiqen 11 pikë.
Juves iu ishin hequr 15 pikë gjatë sezonit, por muajin e kaluar iu kthyen ato, duke ia mundësuar këtij ekipi të rikthehet në garë për Top 4.
Por, sipas “Tuttomercatoweb”, kërkesë e re e Prokurorit Federal, Giuseppe Chine është që “Bianconeri” të ndëshkohen prapë dhe atë 11 pikë, që nënkupton se gara për Top 4 në Serie A do të ndryshonte përsëri.
Jo vetëm kaq, por ai ka kërkuar që të suspendohen për një kohë edhe zyrtarët e klubit, të përfshirë në skandalin e Juves, e cila i fshehu fitimet kapitale.
Juve me këtë rast do të zbriste në kuotën e 58 pikëve, gjashtë më pak se Milani, i cili do të kalonte në vendin e katërt.