Tunizia pengon pjesëmarrjen e karateistëve të Kosovës

Tunizia pengon pjesëmarrjen e karateistëve të Kosovës

Karateistët e Kosovës është dashur të marrin pjesë në ceremoninë hapëse të Kampionatit Mesdhetar që nis sot dhe përfundon të dielën. Por, Tunizia ua ka mohuar pjesëmarrjen karateistëve më të mirë të Kosovës.

Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) i ka njoftuar klubet se është e pamundur pjesëmarrja e karateistëve të Kosovës në Kampionatin Mesdhetar të karatesë për kadet, junior dhe senior.

Siç shkruan në njoftim, Federata i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara. Por, në njoftimin e Federatës bëhet e ditur se Tunizia nuk ka lëshuar viza për garuesit e Kosovës.

“Gjatë komunikimit tonë me zyrtarët e Federatës së Karatesë së Tunizisë, na është bërë e ditur se, për shkak se Tunizia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, nevojitet një kod i veçantë që lëshohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Tunizisë për të marrë letërkonfirmime (viza) për hyrjen në Tunizi. Edhe pse kërkesa jonë është dërguar tek autoritetet tuniziane, ne fatkeqësisht nuk jemi pajisur me vizat”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e Federatës së Karatesë të Kosovës.

KOHA posedon e-mailin e plotë të Federatës që ua ka dërguar klubeve. Por, njoftimi për dështimin e udhëtimit për në Tunizi nuk është bërë publik nga Federata e as nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. KOK-u ka qenë i njoftuar për zhvillimet.

“Si Federatë, kemi kërkuar mbështetje edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili ka dërguar një kërkesë zyrtare te Komiteti Olimpik i Tunizisë për të na ndihmuar në çështjen e vizave, por nuk kemi marrë përgjigje pozitive. Si pasojë e këtyre ngjarjeve, udhëtimi i përfaqësueses së Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë është i pamundur. Jemi shumë të shqetësuar me këtë situate dhe urojmë që ngjarje të tilla të diskriminimit të mos ndodhin në të ardhmen”, shkruan në fund të njoftimit të Federatës.

Është goditja e radhës për karateistët e Kosovës. Ata nuk u lejuan të marrin pjesë me simbole shtetërore as në Evropianin e karatesë që u mbajt në Guadalajara të Spanjës në muajin mars. Karateistët mbetën edhe jashtë Evropianit për të rinj, të mbajtur në Qipro. Autoritetet qipriote kishin kushtëzuar paraqitjen e Kosovës me heqjen dorë nga simbolet e shtetit.

Shpërndaje në: