120 vjet nga botimi i “Alfabetares së gjuhës shqipe”
Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latinë, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke, e pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.
Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar, prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.
Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia.
Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare. Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut.
Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip.