Financial Times: Pse Perëndimi e ka të vështirë t’i jap fund mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi
Politikanët veteranë të Ballkanit e dinë mirë se nuk ia vlen entuziazmi mbi marrëveshjet e arritura nën presion në prapaskenat diplomatike. Por ngjarjet e 18 marsit i dhanë arsye për të qenë optimist Visar Ymerit, ish-udhëheqës i partisë që është aktualisht në pushtet në Kosovës.
“Ne kemi një marrëveshje. Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”- tha shefi i çështjeve të jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas përfundimit të një samiti maratonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ymeri kujton se ishte shumë i gëzuar. Një marrëveshje e tillë kishte kërkuar një dekadë negociata dhe përmes saj Serbia do ta njohë më në fund atdheun e tij si një komb sovran, një synim që Kosova e kishte që kur liderët e saj shqiptarë etnikë e shpallën republikë më shumë se tre dekada më parë, duke shkaktuar vite konfliktesh dhe tensionesh.
Kjo njohje do të krijonte mundësinë e investimeve të shumta të huaja, që janë shumë të nevojshme në një nga zonat më të varfra të Evropës. Por më e rëndësishmja, do t’i hapte rrugën Kosovës, Serbisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me aleancat euroatlantike si BE dhe NATO, duke e stabilizuar të gjithë rajonin e paqëndrueshëm në një moment realisht vendimtar.
Pushtimi rus i Ukrainës risolli ne qendër të vëmendjes edhe Ballkanin Perëndimor, rajon ku dominon Serbia. Beogradi ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, aleatit të saj tradicional sllav. Ndërkohë një pakicë e zëshme serbe ka shprehur hapur simpati për luftën e Moskës.
SHBA-ja druhet se ndikimi rajonal i Serbisë mund të shkaktojë metastaza që do të destabilizojnë rajonin. Prandaj diplomatët perëndimorë janë përpjekur ta largojnë Serbinë
nga tërheqja gravitacionale e Vladimir Putinit, duke i premtuar para dhe një anëtarësim më të shpejtë në BE në këmbim të pajtueshmërisë me qasjen perëndimore, dhe duke kërcënuar me izolim nëse vepron në të kundërt.
Franca, një vend dikur ngurrues për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, ndryshoi qasjen dhe iu bashkua Gjermanisë një një dyshe diplomatike të fuqishme, që do ta drejtojë procesin krahas pjesës tjetër të BE-së dhe SHBA-së. Serbia nisi të lëvizë sipas drejtimit të treguar, duke zgjeruar lidhjet me burimet jo-ruse të energjisë, gjë që mund ta privojë potencialisht Moskën nga kanali i saj më i rëndësishëm i ndikimit.
Por mbetet e pazgjidhur çështja e raporteve Kosovë-Serbi. Rusia e ka joshur Serbinë pjesërisht duke mbështetur Beogradin kundër Prishtinës në forume ndërkombëtare si OKB. Nëse Perëndimi mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre tensioneve, ai do të heqë këtë levë ndikimi nga duart e Moskës.
Kancelari gjerman Olaf Scholz i tha kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic se “ky është momenti kur duhet treguar lidershipi”, thotë një diplomat gjerman. Samiti i Ohrit sugjeroi se ai moment kishte ardhur – të paktën për Ymerin.
“Unë isha një nga të paktët entuziastë në Prishtinë. Të gjithë ishin shumë cinikë në lidhje me marrëveshjen. Por unë shpresoja që BE dhe SHBA e kishin rikthyer vërtet interesin e tyre mbi rajonin për shkak të çështjeve të sigurisë dhe se ne mund të shohim një përmirësim të situatës”- thotë ai.
Megjithatë brenda një muaji, edhe Ymeri iu bashkua cinikëve. Zgjedhjet kryesore në veriun e Kosovës me shumicë serbe, që u panë si testi i parë i marrëveshjes, shkuan keq. Në vend se të bënte paqe me ish-krahinën e saj, Serbia do të mbante peng politikën kosovare për aq kohë sa të mundej, ishte i bindur ai. Po ashtu vetë Kosova nuk ishte e gatshme të bënte kompromis.
Herën tjetër kur u takuan Vucic dhe Kurti në Bruksel më 2 maj, marrëveshja dukej si e vdekur. Kurti refuzoi propozimin e rezolutës dhe paraqiti një vizion alternativ me një përfaqësim jo territorial të serbëve dhe nën mbikëqyrjen e rreptë financiare të Prishtinës.
Por Vucic tha se nuk mund të vazhdonte kështu. Një ditë pas atyre bisedimeve, krye-negociatori i SHBA në rajon, zëvendës/ndihmës sekretari i shtetit Gabriel Escobar, kërkoi durim. “Ka kaluar vetëm një muaj dhe tani po diskutojmë zbatimin. Kemi pasur një nivel të vogël përparimi. . . BE-ja duhet të vazhdojë ndërmjetësimin. . . për të bashkuar të dy palët dhe për të nisur kërkimin e zgjidhjeve me kompromis”- tha ai për FT.
Escobar këmbëngul se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe shton se SHBA, së bashku me BE-në, janë plotësisht të përkushtuara për të arritur një kompromis. Zëdhënësi i çështjeve të jashtme të BE-së, Peter Stano, u tha gazetarëve se Brukseli do të vazhdojë të punojë për arritjen e një marrëveshjeje, duke shtuar se Kurti “ka shkelur gërmën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut”.
Ky zhvillim nuk ishte një surprizë për Jovana Radosavljevic, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale, një grup që mbron të drejtat e njeriut në veri të Kosovës. Përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka një histori të gjatë plot zigzage që i sfidon përparimet e lehta, pavarësisht presionit që vjen nga Perëndimi.
“Ndërkombëtarët lakmuan më shumë se sa mund të përtypnin. Marrëdhënia është aq komplekse sa që nuk mund të arrihet mënjeherë”- thotë ajo.
Serbët në Kosovë thonë se janë të gatshëm të bisedojnë, por ndjejnë se Prishtina dhe Beogradi po i përjashtojnë nga diskutimet për të ardhmen e tyre. Nenad Rashic, një serb etnik që shërben si ministër për komunitetet në qeverinë e Kurtit, thotë se ai ka kërkuar prej vitesh të jetë pjesë e bisedimeve, por më kot.
Rashiq mendon se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të sheshojë mosmarrëveshjet në rajon duke i “fshehur ato nën qilim”. “Stabilokracia e zëvendësoi demokracinë. Sidomos tani me luftën në Ukrainë, Perëndimi dëshiron thjesht stabilitet dhe Vuçiç do të vazhdojë t’i qetësojë ata për vite të tëra, nëse qëndron në pushtet. Ai nuk do të rreshtë kurrë së përdoruri serbët e Kosovës për politikën e tij”- thekson ai.
Brezi i ri është i zemëruar me fuqitë perëndimore, thotë Aleksandar Arsenijević, një politikan lokal në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës. “Ata nuk i dëgjojnë nevojat e serbëve. Nuk është koha e duhur për zgjedhje të tilla. Tani nuk ka demokraci. Sistemi është i prishur. Nëse duan të marrin pjesë në demokraci, qytetarët së pari kanë nevojë për stabilitet financiar”- thotë ai.
Pa normalizimin e lidhjeve me Kosovën, ndoshta Serbia nuk do ta fitojë asnjëherë anëtarësimin në bllok. “Është gjithçka ose asgjë”- thotë një zyrtar i përfshirë në negociata. Për Kosovën, BE-ja është më e hapur në lidhje me levat e saj të ndikimit. “Ata nuk kanë mundësi të tjera përveç nesh”- thotë një zyrtar tjetër. Ndaj në planin afatgjatë, si Beogradi po ashtu edhe Prishtina mund të shohin si logjike zbutjen e pozicioneve të tyre.