Prishtina bën kërkesë në FFK të mos i referojë më Mervan Bejtullahu
FC Prishtina ka bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës që gjyqtari Mervan Bejtullahu të mos i referojë më ndeshjet e Bardhekaltërve, në pjesën e mbetur të këtij sezoni, por edhe në edicionin 2023/24.
Kryeqytetasit i kanë treguar edhe arsyet e kërkesës së tyre, duke konsideruar se janë dëmtuar nga gjyqtari në fjalë.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e klubit më të trofeshëm në vend, në bërë në faqen e saj zyrtare në Facebook.
“Njoftojmë opinionin publik, që Klubi i futbollit, FC Prishtina, sot zyrtarisht ka bërë kërkesë në FFK, që gjyqtari, Mervan Bejtullahu është i padëshiruar në ndarjen e drejtësisë në ndeshjet tona.
Bejtullahu më nuk është i dëshiruar të na i gjykojë ndeshjet deri në mbarim të këtij edicioni dhe të njëjtit do t’i vazhdohet ndalesa edhe për edicionin e ardhshëm.
Për të treguar arsyet e këtij vendimi tonë drastik janë të shumta, që nga fillimi i këtij edicioni e deri te ndeshja e fundit me Llapin kur anulohet goli i rregullt.
Ne si klub jemi lodhur duke u frikësuar dhe duke u marrë me të njëjtin gjyqtar në çdo dy-tre ndeshje sa ai na delegohet.
Ne e bëjmë të qartë së nuk kemi probleme me gjyqtarët tjerë, megjithëse ka pasur gabime në dëmin tonë, por i kemi konsideruar si gabime njerëzore. Por, z. Bejtullahu e ka tepruar në çdo gjë dhe tani më është bërë e tepërt.
Duhet theksuar, se po i njëjti më nuk i gjykon Ballkanit, vendim ky i marrë gjatë zhvillimit të kampionatit dhe ky vendim duam të vlejë edhe për neve.
Po ashtu, do të ndërmarrim të gjitha masat që me videoinçizime përcjellëse ta njoftojmë edhe UEFA-n edhe FIFA-n për gabimet e marra në dëm të ekipit tonë nga ky gjyqtar që njëherësh bartë edhe stemën e FIFA-s.