Arbnor Ramadani “Ylli i Javës” në Superligë

Arbnor Ramadani “Ylli i Javës” në Superligë

Mesfushori i SC Gjilanit, Arbnor Ramadani është vlerësuar me çmimin e përjavshëm “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Ai  u vlerësua si më i dalluari i javës së 29-të nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Agim Xhakolli, Besim Slishani dhe Blerim Haxholli.

Ramadani asistoi në të dy golat e fitores së skuadrës së tij kundër Malishevës si mysafir (2:0). Arbnori u shpreh i lumtur që për herë të dytë u vlerësua me çmimin ‘Ylli i Javës’, derisa theksoi se fitorja në Malishevë ka bërë që skuadra e tij të jetë afër arritjes së objektivit për ta siguruar daljen në garat evropiane edhe në këtë edicion.

“Kjo është hera e dytë që shpallem më i miri i javës dhe është një kënaqësi e vërtetë, sidomos tash në fund të kampionatit, kur secila lojë luftohet shumë, secila pikë është e rëndësishme dhe secili lojtar jep më shumë se 100% nga vetja. Për këtë çmim meritë kanë edhe bashkëlojtarët, të cilët i falënderoj për punën dhe përkushtimin e madh në ndeshjen kundër Malishevës. Tani Gjilani është këndellur dhe jemi në rrugën e duhur për të siguruar daljen në garat evropiane. Na presin edhe 7 ndeshje të tjera shumë të rëndësishme, derisa shpresojmë të jemi edhe në finale të Kupës së Kosovës”, ka theksuar Arbnor Ramadani për faqen zyrtare të FFK-së.

Arbnor Ramadani këtë çmim e kishte fituar edhe në stinorin vjeshtor, përkatësisht në javën  e 10-të, kur me golin e tij në minutat shtesë së ndeshjes skuadra e tij kishte arkëtuar një pikë në duel me Ferizajn.

Shpërndaje në: