Klubet u takuan me ministrin Çeku, e presin licencimin e FFK-së

Klubet u takuan me ministrin Çeku, e presin licencimin e FFK-së

Zyrtarët e klubeve kosovare sot kanë mbajtur një takim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çekun, zëvendësministren, Daulina Osmanin, si dhe kryetarin e Komisionit për Licencim, Fidan Shatrin.

I pranishëm nga ana e shtëpisë së futbollit kosovar ishte ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Taulant Hodaj.

Tema e këtij takimi sërish ka qenë licencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) si dhe klubeve të futbollit.

Klubet e konsiderojnë si të frytshëm takimin me ministrin në selinë e FFK-së.

Avni Haxhiu nga Trepça beson se deri javën tjetër kjo çështje do të mbyllet.

“Sot ishim rreth 30 klube të pranishëm, më së shumti nga herat e kaluara. E patëm një diskutim të frytshëm me ministrin Çeku. Kanë mbetur disa detaje për t’u përmirësuar dhe plotësuar dhe klubet u zotuan se do t’i rregullojnë ato deri javën tjetër. Dhe, pastaj e presim licencimin e klubeve dhe rrjedhimisht edhe të Federatës”, thotë Haxhiu.

Tutje, ai paralajmëroi se klubet do ta ndjekin rrugën e gjyqit ndaj MKRS-së për dëmet milionëshe që u janë shkaktuar atyre në mungesë të licencimit të FFK-së.

Sipas tij, deri ne dhjetor klubet kanë mundur t’i merrnin vërtetimet e sponsorëve në Ministri, ndërsa nga ajo kohë, insiston ai, pa arsye u është ndaluar një gjë e tillë.

Ministria e Sportit fillimisht i kishte vërejtjet e saj tek Federata e Futbollit, të cilës ia ktheu disa herë mbrapsht dokumentacionin, por që shtëpia e futbollit ka bërë përparime rreth licencimit. Por, asaj i nevojitet licencimi i mbi 50 për qind të klubeve për ta marrë licencën nga MKRS-ja.

Për momentin, klubet e futbollit ende nuk i plotësojnë kriteret për licencim.

Shpërndaje në: