Kosova pëson humbje nga Irlanda e Veriut, ishte ndeshja vendimtare për promovim në Ligën A
Kombëtarja e Kosovës U19 për vajza ka pësuar humbje në ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës së B për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023.
Në përballje me Irlandën e Veriut në Belfast, e cila ishte përcaktuese për pozitën e parë në grup, Dardanet U19 pësuan humbje me rezultat 3:1.
Kësisoj, ato e humbën mundësinë e promovimit në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues për Evropian, ndonëse në këtë ndeshje i mjaftonte edhe barazimi, ngase në dy ndeshjet e para kishin shënuar fitore kundër Qipros dhe Letonisë.
Në fakt të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit ishin në rrugë të mirë për ta siguruar pozitën e parë, ngase deri në minutën e 83-të ishin në epërsi, me golin e shënuar nga Gresa Berisha, në minutën e 28-të, e cila u gjend më së miri në zonë pas harkimit nga këndorja dhe me gjuajtje të saktë mposhti portieren kundërshtare.
Megjithatë, vendaset arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 57-të përmes Aimee Neal, e cila barazoi shifrat në minutën e 57-të me gjuajtje me kokë pas harkimit nga këndi. Ndërkohë, për fitoren Irlandës së Veriut u përkujdes zëvendësuesja Keri Halliday, që shënoi dy gola. Fillimisht realizoi në minutën e 83-të, duke shfrytëzuar pakujdesinë e mbrojtjes sonë, derisa në minutën e dytë të lojës shtesë shënoi me gjuajtje të fortë nga distanca.
Kësisoj, Kosova e mbylli këtë fazë në pozitën e dytë, me 6 pikë, aq sa kishte edhe Irlanda e Veriut, por që siguroi pozitën e parë falë fitores në takimin e ndërsjellë.
Përzgjedhësja Albina Rrahmani pas ndeshjes u shpreh: “Një kompeticion i mirë, në të cilin kemi mësuar shumë si ekip. Pas të gjitha peripecive që kaluam për të arritur deri në Belfast, jemi të kënaqur me bilancin e arritur, edhe pse dëshira jonë ishte që të promovohemi në Ligën A. Sidoqoftë, mund të them se vajzat e kanë bërë maksimumin kundër një ekipi shumë të fortë dhe të përgatitur fizikisht. Realisht në bazë të peripecive që patëm për këtë fazë të kualifikimeve nuk kemi pritur të kishim paraqitje kaq të mira. Në fakt, si pasojë e mos pajisjes me viza kishim shumë mungesa të rëndësishme, derisa në ndeshjen e fundit ishim të hendikepuara edhe me mungesën e kapitenes, e cila ishte e pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë në dy ndeshjet e para. Gjithsesi, na mbetet të punojmë shumë në të ardhmen për ta rritur tutje nivelin. Lojtaret duhet të punojnë më shumë në klubet e tyre, por edhe individualisht. Tani na mbetet ta përgatisim gjeneratën e re për ciklin e ardhshëm kualifikues”.