Sarri-Hysaj, marrëdhënia që zgjat prej një dekade, mbrojtësi shqiptar: Shpresoj të punoj sa më gjatë me të

Sarri-Hysaj, marrëdhënia që zgjat prej një dekade, mbrojtësi shqiptar: Shpresoj të punoj sa më gjatë me të

Lazio ka preferuar të nxjerrë në konferencën për shtypin, në prag të ndeshjes me Juventusin, Elseid Hysajn, i kthyer tashmë në element kyç në formacionin bardhekaltër.

Në dy sezonet e fundit, Lazio nuk e ka mposhtur kurrë Juventusin, duke marrë një barazim dhe tri humbje mes kampionatit dhe Kupës së Italisë.

“Jemi në një moment pozitiv, duhet të përpiqemi ta shfrytëzojmë për të marrë një fitore që do të ishte shumë e rëndësishme për renditjen.

Megjithatë, ne e dimë që edhe Juventusi është në formë të mirë dhe ka shumë lojtarë cilësorë, prandaj do të duhet vëmendje maksimale nga fillimi deri në fund të ndeshjes”, ka shpjeguar Hysaj.

Mbrojtja e Lazios rezulton se është më solidja në Serinë A me vetëm 19 gola të pësuar në 28 ndeshje të luajtura.

Një shifër në kontrast total me trendin e vitit të kaluar.

“Ndjej më shumë besim nga trajneri dhe ekipi dhe si rrjedhojë po ndihem më mirë në fushë. Të gjithë po punojmë mirë, kështu që është më e lehtë të japim gjithçka”.

Për shqiptarin, roli nuk bën dallim, ai është përshtatur në krahun e majtë, pavarësisht se është i djathtë.

“Është më e lehtë në krahun e djathtë sepse është roli im natyral, por gjithashtu kam luajtur shumë ndeshje në krahun tjetër. Për mua janë ndryshime të vogla, përshtatem me gjithçka, e rëndësishme është të futem në fushë sepse stërvitem çdo ditë për të qenë gati”.

Fjala e fundit për Maurizio Sarrin, që e katapultoi shkodranin në futbollin e madh që kur ishin të dy tek Empoli.

Me Sarrin Hysaj ka 314 paraqitje, duke u bërë lojtari që e ka pasur më gjatë trajner.

“Është krenari dhe nder i madh. Sarrin e njoh prej shumë vitesh, para Lazios kemi qenë bashkë tek Empoli dhe Napoli. Atij i pëlqen të përmirësojë çdo lojtar që stërvit dhe shpresoj të jem në gjendje të punoj me të edhe për shumë vite të tjera”.

Shpërndaje në: