Bylbyl Sokoli flet për Periskopin: Kosova me lojën që po tregon, nuk mund të kualifikohet në Evropian
Kombëtarja e Kosovës tashmë ka përfunduar dy ndeshjet e marsit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.
Në takimin e parë ndaj Izraelit, ‘Dardanët’ arritën të nxjerrin vetëm një barazim në 1:1, ku goli për kombëtaren tonë erdhi si dhuratë nga izralitët, shkruan Periskopi.
Ky barazim me Izraelin ishte ‘ngushëllues’, pasi ndeshja e dytë ishte ajo me Andorrën në ‘Fadil Vokrri’ dhe prisnim fitore të sigurtë.
Por, kjo nuk ndodhi, skuadra jonë nuk arriti asgjë më shumë se një barazim 1:1, ku gol për Kosovën realizoi, Edon Zhegrova.
Pas kësaj ndeshje kishte shumë kritika në mënyrën e organizmit të lojës dhe taktikat e mangëta të trajnerit, Alain Giresse.
Periskopi ka kontaktuar trajnerin e FC Malishevës, Bylbyl Sokolin se nëse Kosova mund të kualifikohet në Evropian 2024 dhe se a duhet të shkarkohet trajneri Giresse?
“Si ndaj Andorrës edhe ndaj Izraelit ishin paraqitje nën nivelin e cilësisë që ka Kosova. Të dy ndeshjet është dasht të fitohen. Kosova në të gjitha aspektet është ma cilësore se të dy kundërshtarët që pati”, tha fillimisht Sokoli.
Tutje trajneri kosovar tha se Kosova nuk funksionon si grup, dhe këto dy barazime janë humbje për Kombëtaren.
“Të dy barazimite janë gat si humbje, sepse Kosova ka humbur katër pikë dhe nuk po funksionojnë si grup”, vazhdoi ai.
Sokoli tha për Periskopin se Kosova me këto dy barazim dhe me lojën që është duke e zhvilluar nuk do të mund të kualifikohet në Evropian.
“Këto dy barazime dhe mënyra se si luan Kosova, len të nënkuptohet se Kosova nëse nuk ndryshon diçka, nuk ka gjasa të kualifikohet edhe pse është në grupin ku për nga cilësia duhet të jetë në vendin e dytë pas Zvicrës”, tha ai.
Për fund trajneri i Malishevës nuk dha koment në lidhje me atë se a duhet të shkarkohet trajneri, Giresse, por tha se me me lojën e tanishme Kosova nuk premton sukses.
“Nuk dua ta komentojë trajnerin. Loja e Kosovës nuk premton sukses”, tha ai.
Kujtojmë se Kosova dy ndeshjet e ardhshme në kuadër të kualfikimeve për Evropian do t’i zhvillojë në qershor ndaj Romanisë dhe Bjellorusisë./Periskopi/