Flamuri amerikan hiqet nga Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” (Foto)

Flamuri amerikan hiqet nga Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” (Foto)

Gjatë vitit të kaluar kishte nisur renovimin i objektit të Spitalit të Vushtrrisë “Sheikh Zayed”. Përveç që u hoq infrastruktura e vjetër e spitalit, aty u larguan edhe flamujt e vjetruar, shkruan Gazeta Shneta.

Flamuri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ai i Kosovës, u ripërtërinë pas renovimit të objektit, por jo edhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe flamuri kombëtar. Në fakt, këta dy të fundit u larguan krejt nga Spitali.

Në fotografitë e siguruara nga Gazeta Shneta, shihet se flamuri amerikan dhe ai kombëtar, kanë qenë të vendosur përkrah atij të Emirateve dhe të Kosovës.

Flamujt e vendosur në objektin e spitalit para renovimit

Për këtë gjë, drejtori i Spitalit Hajrullah Saraqi e ka veç një shpjegim: Emiratet Arabe!

“Flamujt që janë aty, janë vendosur nga Emiratet Arabe. Ata kanë investuar dhe i kanë vendosur, aty ka ardhë edhe Isa Mustafa dhe askush nuk na ka dhënë vërejtje në aspektin pse është heq flamuri amerikan. Unë nuk mund të merrem me çështje të politikave të individëve, sepse ashtu e kanë lënë Emiratet dhe ashtu e lë edhe unë”, është shprehur Saraqi.

Ai deklaron se nuk është në dijeni nëse flamuri amerikan është hequr me kërkesë të investitorit apo ka qenë thjesht harresë ose gabim i punëtorëve.

“Nuk e di nëse është hequr me kërkesë të Sheikut”, ka thënë ai.

Saraqi nuk premton se flamujt që mungojnë, do të rikthehen aty ku ishin.

“Nuk është çështje që vendosi unë. Ata e kanë lënë qashtu, edhe unë e lë qashtu”, deklaroi ai.

Edhe nga komuna e Vushtrrisë kanë deklaruar se nuk kanë kompetenca në këtë objekt, pasi me ligj i takon Ministrisë së Shëndetësisë.

“Nuk kemi asnjë kompetencë në këtë spital, as inspektorati nuk mundet me obligua spitalin me i rivendos flamujt”, ka deklaruar zëdhënësi i komunës, Shemsedin Preteni. /Gazeta Shneta/

Shpërndaje në: