Ujkani: Besoj se mund të kualifikohemi në Evropian

Ujkani: Besoj se mund të kualifikohemi në Evropian

Kombëtarja e Kosovës i ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kosova më 25 mars do të luajë në udhëtim kundër Izraelit, kurse pas tri ditësh e pret Andorrën në Prishtinë.

Pas seancës stërvitore, Samir Ujkani foli për faqen zyrtare të FFK-së, ku mes tjerash tha se beson në kualifikimin historik të Kosovës.

“Kemi filluar të përgatitemi për dy ndeshjet e para. Është shumë e rëndësishme të fillojmë mirë, sepse qëllimi ynë është të besojmë te kualifikimi edhe pse e dimë se është shumë e vështirë, pasi grupi është shumë i rrezikshëm. Kemi shumë respekt për kundërshtarët, por çdo lojë për neve është finale dhe sigurisht se në ndeshjet në shtëpi me tifozët tanë do të jemi edhe më të fortë. Besoj se mund të arrijmë qëllimin tonë për t’u kualifikuar”, tha portieri 34-vjeçar.

“Sikur Izraeli edhe Rumania, por edhe të gjitha ekipet tjera janë kandidatë për t’u kualifikuar dhe për këtë arsye them se është grup shumë i rrezikshëm. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin dhe grupi duhet të jetë në 100 përqindëshin e tij në mënyrë që të kemi gjasa për kualifikim. Me forcat tona, bashkë me tifozët tanë të cilët do të na shtyjnë përpara mendoj se ka ardhur koha që duhet të besojmë në kualifikim”, deklaroi Ujkani.

Shpërndaje në: