Aleksandar Pavloviq: UNESCO për Kosovën është diçka e paevitueshme

Aleksandar Pavloviq: UNESCO për Kosovën është diçka e paevitueshme

“Çuditem se si në Kosovë mendojnë se ka ndodhur një humbje e madhe e Kosovës dhe një fitore e madhe e Serbisë, kur Kosova do të ketë mundësi që edhe tjera herë të mund të konkurrojë për anëtarësim. Kosova nuk morri 2/3 e votave, por mund të provojë çdo dy vite”, tha Aleksandar Pavloviq koordinator i projektit “Figuring out the Enemy: Re-imagning Serbian-Albanian Relations”

Sarandë Selimi

Viti 2015-të, ishte viti kur Kosova për vetëm tri vota nuk u bë anëtare e UNESCO-së. Pas dy vitesh, Kosova në nëntor të 2017-së ka edhe një shans për anëtarësimin e saj në organizatën më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në botë. E pikërisht kjo gjë përveç që po e shtyn fort Kosovën të punoj në këtë aspekt, po e shtyn edhe Serbinë të punoj kundër kësaj. Kësisoj, mesditën e së enjtes, në Qendrën Multimedia, u organizua debati në lidhje me ekzaminimin e kësaj çështje, ashtu siç prezantohet nga mediet dhe nga politikanët, si dhe të shihet kuptimësia më e gjerë për Kosovën, Serbinë dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë. Në këtë diskutim që u fol për çështjet thelbësore dhe kornizën ligjore rreth trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, duke e përfshirë edhe planin e Marti Ahtisaarit, morën pjesë panelistët si: Sonja Biserko, Dimitris Moschopoulos, Shkëlzen Maliqi dhe Aleksandar Pavloviq.

Gjithçka nisi me një trailer të një filmi dhe botimin e një libri, ku në këto projekte siç u tha në debat është punuar nga 30 hulumtues e intelektualë që hulumtuan dhe eksploruan narrativa të ndryshme dhe tregime të ndryshme mbi këtë armiqësi mes dy popujve. Pas kësaj nisën pyetjet nga Agron Bajrami, i cili edhe e moderoi gjithë këtë debat.

Fillimisht pyetja e parë iu adresua aktivistes për të drejtat e njeriut Sonja Biserko, në lidhje me kuptimin e gjendjes së Kosovës në UNESCO. “Për ta kuptuar më mirë gjendjen e Kosovës në UNESCO duhet të kthehemi prapa tek statusi i konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndihmën që Rusia i jep Serbisë në pothuajse shumë çështje karshi Kosovës, me negociuar ndarjen e Kosovës. Pas zgjedhjeve dhe BREXIT, është një zgjim evropian dhe gjërat po ndryshojnë edhe në Ballkan. Trashëgimia kulturore në Kosovë u bë një nga temat më të fokusuara në sferën publike dhe në opinionin serb, edhe temë e politizuar dhe instrumentalizuar. Fatkeqësisht, ky është problemi kryesor, dhe prandaj edhe anëtarësia e Kosovës në UNESCO është e rëndësishme për të ruajtur trashëgiminë këtu”, tha Biserko.

E këshilltari i Qeverisë së Kosovës Dimitris Moschopoulos, tha se kur flasim se çka duhet të bëjë Kosova tash, duhet të kujtojmë se pyetja është qfarë duhet të bëjë Kosova që të ketë mbrojtje më të mirë të Kishës Ortodokse Serbe. “Plani i Ahtisaarit tregon në pika mjaft të qarta se si duhet mbrojtur trashëgimia kulturore dhe nëse këto pika do të respektoheshin kjo do të ishte e mjaftueshme. Kjo do të ishte më e rehatshme në Kosovë dhe nuk do të paraqiste problem. Një nga problemet ka qenë e drejta e Kishës Ortodokse Serbe që të ketë diskrecion komplet se si të menaxhoj me pronën e saj. Qeveria e Kosovës është pajtuar me diçka të tillë”, pohoi Moschopoulos.

Ndërkaq nga ana tjetër analisti Shkëlzen Maliqi, foli mbi atë se pse ka qenë dhe është ende UNESCO aq e rëndësishme për Kosovën. Sipas tij e gjithë kjo lidhet me diçka që ka të bëjë me esencën e procesit dhe njohjes së sovranitetit të Kosovës, pra njohjes së plotë.

“Edhe Qeveria e Kosovës edhe opinioni në Kosovë, vërtetë e sheh këtë proces të rëndësishëm për shkak të mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë nën ombrellën e UNESCO-së, sepse kjo gjithsesi duhet të mbrohet. Serbia në këtë aspekt bënë shumë gabim, sepse në njëfarë dore duke e shpallur një pjesë të kësaj trashëgimie si të vetën, në një një mënyrë e largon një pjesë të popullatës e cila më herët ka qenë si mbrojtëse e këtyre objekteve që janë të kategorisë së parë siç është Manastiri i Deqanit i mbrojtur nga UNESCO”, theksoi Maliqi, i cili poashtu tha se para dy viteve që Kosova u refuzua në UNESCO, ishte një tregues goxha i mirë, pasi që, vetëm tri vota ishin kundër kësaj.

Ndërsa Aleksandar Pavloviq koordinator i projektit “Figuring out the Enemy: Re-imagning Serbian-Albanian Relations” dhe redaktor i librit i cili u publikua në Serbi dhe Kosovë, tha se beson që Serbia po i përdorë gjithë rrjetin diplomatik, energjinë dhe paratë e taksapaguesve që të ndalojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Çuditem se si në Kosovë mendojnë se ka ndodhur një humbje e madhe e Kosovës dhe një fitore e madhe e Serbisë, kur Kosova do të ketë mundësi që edhe tjera herë të mund të konkurrojë për anëtarësim. Kosova nuk morri 2/3 e votave, por mund të provojë çdo dy vite. Unë kam kaluar shumë kohë në jetë me politikanë që kane provuar t’i shtyjnë gjërat, prandaj nuk shoh logjikë në idenë që ta shtysh procesin e diçkaje, pra vetëm ta harxhosh kohën, dhe në këtë rast edhe me UNESCO dhe me rastin e Kosovës vetëm është shtyrë një diçka që është e paevitueshme”, tha me pak fjalë Pavloviq.

I gjithë ky debat përfundoj me disa komente të pjesëmarrësve që ishin në një numër goxha të madh. Që të gjithë mendonin se Kosova nuk duhet më fare të humb kohë në lidhje me anëtarësimin në UNESCO./KultPlus.com

Shpërndaje në: