Studimi shqetësues: Deri në 2035-ën, më shumë se gjysma e popullsisë së botës mund të jetë mbipeshë
Federata Botërore e Obezitetit ka bërë me dije se më shumë se gjysma e popullsisë do të vuajë nga mbipesha dhe kjo pritet të ndodhë deri në vitin 2035. Ndërkohë, më shumë se 4 miliardë njerëz, mes tyre edhe fëmijë, janë prekur nga obeziteti.
Vendet me të ardhura të ulëta, ose të mesme në kontinentet si Afrika dhe Azia pritet të shohin rritje më të mëdha të njerëzve që do të vuajnë nga mbipesha, thotë studimi dhe sipas tij, kostoja e obezitetit do të arrij në më shumë se 4 trilionë dollarë në vit, deri në 2035-ën.
Profesoresha Louise Baur, e cila është edhe presidentja e federatës, tha se raporti duhet të shërbejë si një parandalim i qartë për vendet që paraqesin rrezik dhe pasoja të tilla në të ardhmen. Baur tha se tendenca është shqetësuese dhe “qeveritë në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka është e mundur për të shmangur rritjen e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike te brezi i ri dhe të vlerësojnë sistemet dhe faktorët kryesorë që kontribuojnë në obezitet”.
Raporti, në veçanti theksoi normat gjithnjë e në rritje të mbipeshës, prezente te fëmijët dhe adoleshentët, të cilat priten të dyfishohen. Vendet që rrezikohen më shumë janë ato me të ardhura të ulëta, pasi janë më pak të afta për të mbajtur nën kontroll pasojat e obezitetit.
Ndërsa në Europë, vendet më të rrezikuara janë: Ukraina, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina. Harta Globale e obezitetit tregoi se në vendin tonë, rreth 37% e të rriturve do të vuajnë nga mbipesha, deri në vitin 2035.
Sipas studimit, gjasat janë që obeziteti në Shqipëri të rritet me 6.7% te fëmijët dhe me 2.6% tek të rriturit.