INTERVISTË/ Hamiti: Kurti solli marrëveshje pa njohje, me autonomi për serbët

INTERVISTË/ Hamiti: Kurti solli marrëveshje pa njohje, me autonomi për serbët

Profesori dhe njohësi i politikës së jashtme, z. Muhamet Hamiti, në një intervistë për Periskopin ka folur rreth takimit të mbrëmshëm në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, takim ky i ndërmjetësuar nga BE-ja për nënshkrimin e planit franko-gjerman (evropian) nga Kosova dhe Serbia.

Sipas z. Hamiti, Qeveria dhe kryeministri e kanë drejtuar keq procesin e dialogut në këto dy vite, siç shpjegon ai, procesi i dialogut nga një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, e përqenderuar në njohje është reduktuar thjesht në në një marrëveshje ‘bazë’, pa njohje në të.

Në intervistën më poshtë, lexoni përgjigjet e z. Hamiti dhënë për Periskopin, në disa pyetje rreth takimit të mbrëmshëm Kurti – Vuçiq në Bruksel dhe pajtimit që të ecet tutje me planin evropian.

 

-Intervista e plotë –

PERISKOPI: Pas takimit të mbrëmshëm Kurti – Vuçiq, në një pjesë të opinionit kosovar, u krijua përshtypja sikur Kurti ‘nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën’. Me një fjalë: takimi i mbrëmshëm u pa si fitore për Kosovën. A është ky një keqkuptim apo një keqinterpretim (ose të dyja)?

HAMITI: Marrëveshje ‘jo e dëmshme’, ‘fitore’ për Kosovën?! Marrëveshja duhej të ishte e mirë, e qartë, të sillte finalitet në raportet e Kosovës me Serbinë, për të qenë fitore. Nëse pritmëritë kanë qenë që Qeveria Kurti të ishte edhe më e paaftë, sepse e paaftë është, po ashtu keq. Pak gjë kanë ditur njerëzit, sepse nuk ka pasur transparencë në procesin e dialogut në këto dy vjet. Marrëveshja nuk është finale, as ligjërisht obligative, dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më keq, ajo ndjell paqartësi (neutralitet) mbi statusin politik të Kosovës. E gjithë kjo me pëlqimin e kryeministrit të Kosovës, cili e tha vetë para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës se kjo marrëveshje nuk është rezultat i negocimit të tij, sepse e kanë hartuar aleatët. Objektivisht, Albin Kurti është përgjegjës për cilësinë e kësaj marrëveshjeje dhe për implikimet që do të ketë për Kosovën.

PERISKOPI: Cilat janë pjesët problematike nga plani evropian? Nga vlerësimet e deritashme, përmendet autonomia për komunitetin serb, statusi i Kishës Ortodokse Serbe? Çka mund të na thoni më shumë për këto, duke iu referuar planit/marrëveshjes por edhe për pjesë të tjera të tij?

HAMITI: Preambula është shumë problematike. Thuhet shprehimisht “Pa paragjykim ndaj pikëpamjeve të ndryshme të palëve mbi çështje fundamentale, duke përfshirë ato mbi statusin”. Ka marrëveshje që të tejkalohet e kaluara, që nënkupton të harrohen krimet serbe, lëre më gjenocidin, për të cilin kjo Qeveri thoshte se do ta padiste Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Qeveria dhe kryeministri e kanë drejtuar keq procesin e dialogut në këto dy vjet. Në kohën e kësaj Qeverie, procesi i dialogut nga një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, e përqenderuar në njohje (‘me njohje në qendër’, siç është thënë), është reduktuar thjesht në në një marrëveshje ‘bazë’, pa njohje në të. Po e shihni vetë, pika 7 po interpretohet edhe si autonomi për serbët, domethanë me më shumë kompetenca potencialisht sesa Asociacioni simbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilin Kurti dhe Vetëvendosja e tij përbeheshin se s’do ta pranonin kurrë. E kanë pasë bërë kauzë të dhunshme; kujto dhunën e tyre në Kuvendin e Kosovës. Shto këtu edhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

PERISKOPI: A ka përfitime nga ky plan dhe cilat janë ato?

HAMITI: Plani ka paqartësi që s’dihet se si mund të (për)kthehen në përfitime.

PERISKOPI: Si i vlerësoni konstatimet se me planin evropian, dialogu zgjatet edhe për 10 vite?

HAMITI: Dialogu do të vazhdojë kush e di për sa kohë, patjetër, sepse kjo marrëveshje nuk sjell finalitet në raportet e Republikës së Kosovës me Serbinë.

PERISKOPI: Çka pritet nga takimi i ardhshëm Kurti – Vuçiq, që u paralajmërua për në mes të muajit mars?

HAMITI: Duket se takimi do të jetë për zbatim të këtij plani a marrëveshjeje, sepse BE-ja, lehtësuesja e dialogut, e tha se planin e kanë pranuar të dyja palët dje në Bruksel./Intervistoi: Dafina Demaku/Periskopi/ 

 

Shpërndaje në: