Gjesti prekës i tifozëve të Besiktas, mijëra arushë hidhen në fushë për fëmijët e prekur nga tërmeti

Gjesti prekës i tifozëve të Besiktas, mijëra arushë hidhen në fushë për fëmijët e prekur nga tërmeti

Një gjest shumë prekës ka ngjarë gjatë takimit mes ekipeve të Besiktas dhe Antalyaspor, i vlefshëm për Super Ligën turke, kur në minutën e katërt të takimit, ndeshja është ndërprerë, sepse tifozët e ekipit pritës kanë hedhur në fushë mijëra arushë pelushi, të cilët do të shkojnë për fëmijët e prekur nga tërmeti i 6 shkurtit 2023.

Pikërisht minuti i katërt dhe sekondi i 17-ë, si simbolikë e orës së rënies së tërmetit, kanë qenë të përzgjedhurit për të kryer homazhin.

Gjesti ishte paralajmëruar më herët nga tifozeria vendase dhe ashtu ndodhi, kur njëkohësisht të gjithë kanë hedhur nga çdo tribunë arushët, të cilët kanë mbushur pjesët anësore të fushës së blertë krejtësisht.

Vetë lojtarët kanë duartrokitur gjestin e tifozëve, duke i grumbulluar më pas të gjithë arushët e hedhur në vende të caktuara, për t’u marrë nga punonjësit e stadiumit dhe për të shkuar te fëmijët e prekur.

Megjithatë, përtej ndjesisë së solidaritetit, nuk ka munguar edhe protesta kundrejt Qeverisë turke, me thirrjet se kjo e fundit duhet të largohet nga drejtimi i vendit pas tragjedisë.

Më shumë se 44 mijë persona kanë humbur jetën deri tani nga tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit në Turqi.

Mbi 160 mijë pallate janë shembur, duke lënë qindra mijëra familje pa një strehë për të jetuar dhe sigurisht fëmijët, janë edhe më të prekurit e kësaj tragjedie.

Ndaj, të gjithë kanë menduar të japin kontributin e tyre për të lehtësuar sado pak dhimbjen e këtyre kohëve, ku dërgesat me ushqime, veshmbathje apo lodra, nuk kanë munguar as nga instanca të tjera.

Shpërndaje në: