Pagesa për punët që nuk janë kryer: Pamjet që dëshmojnë se Autostrada e Gjilanit është pranë dështimit

Pagesa për punët që nuk janë kryer: Pamjet që dëshmojnë se Autostrada e Gjilanit është pranë dështimit

Ndërtimi i Autostradës së Gjilanit ka hyrë në vitin e pestë të punimeve. Projekti i cili ka veç 22 kilometra gjatësi, sipas planit dinamik është dashur që të përfundojë në vitin 2021. Bazuar në pamjet që shihen në terren, punët e përfunduara në tërësi janë më pak se 50 për qind, megjithatë pagesat për të janë kryer në një vlerë prej rreth 70 për qind. Kjo bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi nuk mund të bëhen pagesa për punët që nuk janë kryer. Për këtë, Periskopi ka mësuar  se ka nisur një hetim policor…

Më datë 25 janar të muajit të kaluar, Periskopi ka publikuar një artikull, në të cilin ka sjellë disa fakte se si ekzistojnë dyshime se është  bërë manipulim me një faturë. Dyshimet janë se kompania punëkryese e cila po punon në lot 4, ka dërguar një faturë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për rimburësim për punët që nuk janë kryer. Në fakt, dyshimet janë se manipulimi mund të jetë bërë vetëm me fatura dhe në këtë situatë është lëshuar një pagesë fiktive në një vlerë prej 378, 951. 39 euro.

EKSKLUZIVE: Dyshime se me faturë të falsifikuar, u avulluan 379 mijë euro në Ministrinë e Liburn Aliut

Edhe pas publikimit të tekstit, ministria ka vendosur të heshtë, nuk ka dërguar asnjë sqarim lidhur me publikimin e artikullit. Periskopi ka siguruar kontaktin e menaxherit të projektit, Nebi Luzha, me të cilin ka biseduar rreth dyshimeve për manipulimin e faturës. Ai ka thënë se nuk ka diçka të tillë dhe se faturat e publikuara në Periskop nuk dinë se nga kanë dalë, pasi sipas tij çdo gjë është në rregull.

“Kur të doni mund të vini t’i merrni të gjitha dokumentet për këtë lot. Nuk ka asgjë të vërtetë për manipulim më fatura. Ne kemi tjera fatura”, ka thënë Luzha nëpërmjet telefonit, i cili e ka lënë edhe ditën e saktë se kur mund të merren dokumentet në ministri. Por, në ditën që është dashur të jepen ato fatura, ai ka thënë se nuk i ka të kompletuara të gjitha, pasi është bërë ndërrimi i objekteve të ministrisë dhe disa kanë mbeture në objektin tjetër. Në një tjetër bisedë telefonike, ai ka sugjeruar që të bëhet kërkesë zyrtare për qasjen në to. Ndërkohë ka folur edhe për vëllimin e punëve të kryera. “Janë kryer rreth 70 për qind e punëve në atë lot, pasi nën tokë janë futur shumë pilota”, ka thënë ai.

Periskopi më 3 shkurt ka bërë kërkesë në dokumente publike ku ka kërkuar nga ministria që të marrë të gjitha dokumentet e arkivuara deri më tani për lot katër: Certifikatën e pagesave, stacionet dhe faturat.

Deri në publikimin e këtij artikulli, kjo ministri nuk ka lejuar qasje në këto dokumente.

Gjatë ditës së sotme, Periskopi ka ushtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, konkretisht Departamenti për Qasje në Dokumente Publike për mos lejim të qasjes në këto dokumente.

Agjencia ka konfirmuar se do të trajtojë këtë ankesë.

Pos pagesës së parregullt ku dyshohet që është bërë dallavere vetëm me fatura për shumën mbi 378 mijë euro, Periskopi ka gjetur se punëkryesi është paguar afërisht edhe njëherë më shumë se sa ka kryer punë. Në fakt, siç e kemi cekur më lartë, vet menaxheri Luzha ka thënë se në këtë segmente rrugor (lot 4) vëllimi i punëve të kryera është rreth 70 për qind. Edhe sipas certifikatës së publikuar nga Periskopi që mban datën 19 Maj 2022, shihet se pagesat janë bërë rreth 7 milionë euro, ndërsa, kontrata bazë, plus ankesë kontrata janë në një vlerë prej 9.5 milionë euro. Por, deri më tani pagesa mund të jetë rritur, pasi ajo është e vjetër rreth 9 muaj, dhe pagesat bëhen në bazë të stacioneve.

Periskopi ka qenë në vendin e ngjarjes për të parë se sa është vëllimi i punëve të kryera në lot 4, ku po ndërton konzorciumi i kompanive, “2A Group ” SH.P.K ; “Alko Impex” ; “Ex -Fis”. ; “2T”.

Ky lot ka të bëjë me pjesën kryqëzimi në disnivel R6/R7 (Banullë) -Bresalc.

Bazuar në paramasën e këtij projekti, shkruan se punët duhet të kryhen në një gjatësi prej 2100 metra që është në katër krosi me shirita ndihmës.

Sipas një matje jo precize, por të përafërt që i ka bërë Periskopi këtij projekti (lot4), del se rreth gjysma e projektit është e pa prekur fare. Pra, punimet janë realizuar vetëm në një mijë metrat e para, ndërsa një mijë metërshi dytë është siç ka qenë, kodër malore, e pa prekur nga makineria. Madje aty do të ketë shumë më shumë punë se në pjesën e parë, pasi në të parën terreni ka qenë më i rrafshët dhe tash duhet të çahet komplet kodra që është e mbushur me gurë gjigant.

Derisa rreth gjysma e projektit është e paprekur, pos një nënkalimi dhe një intervenimi të vogël tjetër, edhe në segmentin që është punuar nuk janë kryer të gjitha punimet. Nëse shikohet paramasa se çka do të punohet aty (shihe doc më poshtë), punimet e kryera në gjysmën e parë kapin një kosto prej rreth 60 për qind të vlerës monetare.

(Pamje nga fillimi lotit 4, deri tek ngecja e punimeve, ku fillon kodra)  

Pra, pagesat që është dashur të bëjë ministria do të duhej të ishin në një vlerë pak mbi 30 për qind të totalit të kontratës, dhe jo 70, ashtu siç ka thënë menaxheri i kontratës dhe siç figuron në certifikatën e pagesës. Sipas legjislacionit në fuqi, kontraktuesi duhet të paguhet në bazë të sasisë së kryer të punëve, sipas pozicionit në paramasë dhe parallogari ose në bazë të përqindjes së aktivitetit të kryer.

(Pamjet e kodrës e cila duhet të hiqet për t’u ndërtuar lot 4. Bëhet fjale për mbi 900 metra kodër që duhet të hiqet. Pamjet amatore janë realizuar nga fillimi i lotit 5 e deri tek ngecja e punimeve)

Periskopi ka mësuar se hetuesit policorë, të autorizuar nga Prokuroria ka nisur një hetim për krejt këtë projekt, nën dyshimet se janë bërë pagesa shumë më të larta se sa janë kryer punë.

Periskopi ka kërkuar një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, lidhur më atë se çka janë duke hetuar zyrtarët policor në këtë raste dhe se deri ku kanë shkuar hetimet, pro deri në publikimin e këtij artikulli zyra për informim e PK-së nuk ka kthyer përgjigje.

Bazuar në pamjet në terren, punimet janë pranë përfundimit vetëm në lot 1 dhe 2. Pak është punuar pak edhe në lot 3. Të gjitha pjesët tjera janë në një kuotë përfundi 50 për qind të punimeve.

Tashmë, ministria ka nisur që të bëjë edhe pranimin e pjesshëm të projektit. Më këtë veprim ekziston frika se kompanitë mund të braktisin punimet krijon ndonjë alibi dhe të braktisin punimet.

Në vitin 2018 për këtë projekt janë lidhur 8 kontrata në një vlerë prej 88, 618, 511.95 euro. Por, menjëherë pas disa muajve ministria kishte filluar të lidhë aneks kontrata për punët shtesë. Këso lloje të kontratave për punët shtesë janë lidhur deri para pak muajve. Shuma e aneks kontratave është 7.2 milionë euro dhe bazuar në ueb-faqen e prokurimit publik, pos në lot 3 për të gjitha pjesët ekzistojnë nga dy kontrata. Bile në lot 7 ku e kishte fituar  “Al Trade” & “Salillari”  në një shumë prej 7, 247, 086. 87 euro, janë lidhur plus dy aneks kontrata tjera, njëra me këtë konzercium në vitin 2019 një vlerë prej 372.660,42 euro dhe një kontratë në mars të këtij viti me kompanitë “Bau Holding”  në vlerë prej 137. 840,81 euro. Kjo kompani nuk ka të bëjë asgjë me këtë projekt, dhe ky është një rast që do një trajtim të posaçëm ligjor.

Pas lidhjeve të kontratave fillestare, Prokurora Speciale kishte nisur hetimet ndaj ish Sekretarit të MI, Betim Reçica, dhe zyrtarëve të ministrisë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Hetimi i prokurorisë kishte rezultuar me ngritje të aktakuzës nën dyshimin për korrupsion ndaj katër zyrtarëve, dhe tashmë gjykimi ndaj tyre është në proces e sipër. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/

Paramasa -ose punët që duhet të kryhen në lot 4:

         

 

Shpërndaje në: