Menaxheri i Atsu: Imazhet termike shfaqin shenja jete nën rrënoja

Menaxheri i Atsu: Imazhet termike shfaqin shenja jete nën rrënoja

Dhjetë ditë pas tërmetit të tmerrshëm në Turqi, Christian Atsu nuk është lokalizuar ende.

Menaxheri i tij, Nana Sechere ka folur për situatën aktuale të futbollistit ganez, i cili ishte në katin e nëntë të ndërtesës që u shemb nga tërmeti shkatërrimtar.

Sipas tij, ende ka shpresa që futbollisti i ligës elitare turke të gjendet i gjallë edhe pse kanë kaluar dhjetë ditë pa bukë dhe pa ujë.

“Jam në folenë e tërmetit në Hatay me familjen e Christian. Skenat janë të paimagjinueshme dhe zemrat tona janë thyer për krejt personat e goditur. Gjatë qëndrimit tim këtu, kemi qenë në gjendje ta lokalizojmë pozicionin ekzakt të dhomës së Christian Atsu dhe i kemi gjetur dy palë këpucë sportive të tij”, theksoi menaxheri i futbollistit fatkeq për mediumin “The Athletic”, përcjell “Gazeta Express”

“Mbrëmë e kemi marrë një konfirmim se imazhet termike tregojnë se janë deri në pesë njerëz gjallë. Por, na është thënë se i vetmi konfirmim i vërtetë nëse dikush është gjallë është përmes shikimit, erës dhe zërit. Fatkeqësisht, nuk kemi arritur ta lokalizojmë Christianin. Kjo është një situatë e vështirë dhe u jemi jashtëzakonisht mirënjohës të gjitha skuadrave turke dhe të huaja, civilëve lokalë dhe vullnetarëve për sakrificat dhe përgjigjen e gatishmërinë e tyre për t’i shpëtuar të mbijetuarit”, shtoi ai.

“Sidoqoftë, kemi nevojë urgjente për më shumë burime, përfshirë këtu edhe një përkthyer në terren. Gjërat po lëvizin jashtëzakonisht ngadalë dhe shumë prej ndihmave vijnë me vonesë. Kështu do të humbasin jetë njerëzish për shkak të mungesës së rezervave në dispozicion të punëtorëve”, përfundoi menaxheri i Atsu.

Shpërndaje në: