Rikthehen emocionet e Ligës së Kampioneve
Liga e Kampionëve do të rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet e para të së tetës së finales.
Sonte na presin dy duele mjaft interesante.
Pa dyshim, dueli kryesor do të luhet në Francë, ku Paris Saint-Germaini e pret Bayern Munichun.
Parisienët buzëqeshën së fundmi pas rikthimit të Lionel Messit e Marco Verrattit, të cilët pritet të luajnë nga minuta e parë.
I ftuar është Kylian Mbappe, i cili megjithatë nuk dihet nëse do të startojë apo do të futet në lojë në pjesën e dytë.
Nga ana tjetër, bavarezët nuk kanë ndonjë mungesë të theksuar.
Pra, në “Parkun e Princave” na pret një ndeshje e madhe dhe e zjarrtë, me dy skuadrat që e kërkojnë kualifikimin në çerekfinale.
Francezët madje janë të uritur për ta fituar krejt trofeun, të cilin po e presin qe një jetë.
E përvoja natyrisht është në anën e gjermanëve, të cilët megjithatë këtë sezon nuk janë në formë optimale.
Kurse, dueli tjetër i natës do të jetë ai mes Milanit dhe Tottenhamit.
“Rossoneri” po e kalojnë një periudhë të tmerrshme në vitin 2023, ndonëse javën që shkoi e mundën Torinon, duke i dhënë fund serisë prej katër humbjesh radhazi.
Sidoqoftë, “Rossoneri” zakonisht kur luajnë në Evropë dinë të transformohen dhe një gjë të tillë do të mundohen ta bëjnë edhe sonte.
Nga ana tjetër, Spurs dinë të jenë gjithmonë të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm.
Trajneri Antonio Conte i njeh mjaft mirë ekipet italiane dhe do të mundohet të nxjerrë rezultat të favorshëm në “San Siro” sonte para lojës së kthimit në Londër.
Të dy ekipet kanë mungesa, por lojtarët kryesorë megjithatë do t’i kenë në dispozicion.
Të dyja ndeshjet e sontme do të fillojnë në orën 21:00.