Derbi i madh mes Pejës dhe Prishtinës
Java e 22-të në Prince Caffe Superligë do të dhurojë disa ndeshje mjaft interesante, kurse derbi do të zhvillohet ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës.
Njëkohësisht kjo është xhiro e fundit para Final 8 Kupës së Kosovës, që zhvillohet nga 15 deri më 19 shkurt në Rahovec.
Pejanët kanë 14 fitore e shtatë humbje, kurse prishtinasit 16 fitore e pesë humbje, duke e bërë këtë sfidë edhe më interesante.
Skuadrat kanë pasur formë të ndryshme, me verdhezinjtë që e nisën për mrekulli kampionatin, kurse bardhekaltrit nuk dinë për humbje në xhirot e fundit.
Në takimet mes tyre në këtë edicion, pejanët fituan dy ndeshjet e para, kurse në të tretën fitoi bindshëm Prishtina 83:45.
Java e 22-të mbyllet me përballjen mes kampionit, Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit.
Therandasit numërojnë 16 fitore e pesë humbje, kurse Vreshtarët kanë dy fitore e 19 humbje, madje fitoren e parë e kishin arritur ndaj Yllit.
Sidoqoftë, kampionët pas katër humbjeve kishin 15 fitore radhazi, duke u ndalur vetëm nga Trepça.