FFK thotë se i plotëson kushtet e licencimit nga Ministria

FFK thotë se i plotëson kushtet e licencimit nga Ministria

Komisioni Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës, ku ndër temat e diskutuara ishte edhe miratimi i statutit të ri të FFK-së.

Sipas Komisionit Ekzekutiv të FFK-së, janë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret për licencimin e kësaj federate.

“KE shqyrtoi edhe licencimin e FFK-së dhe konstatoi se me miratimin e Statutit të ri janë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për licencimin e FFK-së”, thuhej ndër tjera në njoftimin e tyre.

Komisioni për Licencimin e Federatave Sportive pranë MKRS-së ende nuk e ka licencuar FFK-në, pasi i janë kthyer një varg vërejtjesh.

Ndërsa, nuk ka ndonjë vendim ende, veçse dihet që është në proces të licencimit.

Ndërkohë, ky komision ka kërkuar pezullimin e pozitës së kryetarit të FFK-së nga Agim Ademi, pasi ky i fundit është në proces gjyqësor për vepër penale, e që bie ndesh me kodin disiplinor të FIFA-s që është i përfshirë në statut.

Postimi i plotë nga FFK:

“Komiteti Ekzekutiv sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.

KE analizoi dhe shqyrtoi ecurinë dhe zhvillimin e punimeve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të FFK-së, duke konstatuar se pati një frymë konstruktive dhe debate frytdhënëse në trajtimin e Statutit të ri të FFK-së, cili u miratua me shumicë votash dhe i cili i plotëson kriteret dhe kushtet sipas specifikave të Kosovës . KE falënderon secilin delegat për pjesëmarrje, angazhim konstruktiv në të mirë të futbollit të Kosovës.

KE shqyrtoi edhe licencimin e FFK-së dhe konstatoi se me miratimin e Statutit të ri janë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për licencimin e FFK-së.
Po ashtu KE shqyrtoi dhe miratoi orarin e garave të stinorit pranveror të Kampionatit 2022/2023, i cili fillon me ndeshjet e kupës më 4 shkurt dhe do të përfundojë më 28 maj 2023.
KE shqyrtoi edhe Raportin e Këshillit Emergjent pas vërshimeve në shumë komuna të vendit, e ku dëme pësuan edhe stadiumet e fushat e futbollit të shumë klubeve. Së këndejmi KE mori vendim që brenda mundësive në bashkëveprim me Kuvendet komunale t’u ndihmohet klubeve për përmirësimin e gjendjes në këto stadiume.
KE shqyrtoi ecurinë e ndeshjes së Superkupës ndërmjet kampionit të Kosovës, FC ”Ballkani” dhe fituesit e Kupës e Kupës së Kosovës, FC”Llapi”, e cila u zhvillua në Antalia, më 21 janar 2023 dhe kaloi në një organizim jashtëzakonisht të mirë.

E shqyrtoi edhe Parashtresa dhe ankesat drejtuar këtij Organi”.

Shpërndaje në: