PSG-ja gabon sërish, ndalet me barazim nga Reimsi

PSG-ja gabon sërish, ndalet me barazim nga Reimsi

Paris Saint-Germaini ka regjistruar ndeshjen e dytë radhazi pa fitore në Ligue 1.

Pas humbjes që pësoi javën e kaluar ndaj Rennes, kampionët në fuqi sonte u ndalën me barazim nga Reims, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të.

Ndeshja e zhvilluar në “Parc des Princes” përfundoi me rezultatin 1:1.

Parisienët kaluan të parët në epërsi me golin e shënuar nga Neymar, në minutën e 51-të.

Megjithatë, punët për skuadrën e Christoph Galtier u vështirësuan pas tetë minutash, pasi Marco Verrattti u përjashtua nga ndeshja direkt me karton të kuq.

PSG-ja nuk ia doli ta mbante epërsinë deri në fund, kur në skenë u shfaq Florian Balogun për t’ia siguruar një pikë skuadrës së tij. I huazuari nga Arsenali shënoi në minutën e gjashtë shtesë (90+6’).

Vlen të përmendet se reprezentuesi i Kosovës, Arbër Zeneli, u paraqit në këtë ndeshje nga minuta e 75-të.

Paris Saint-Germaini pas këtij barazimi ka 48 pikë dhe vazhdon të jetë i pari në tabelë, por tani vetëm me tri pikë më shumë se Lens.

Reims ndodhet në pozitën e 11-të me 26 pikë.

Shpërndaje në: