Ava Max: Zemërthyerja është një gjë e mirë

Ava Max: Zemërthyerja është një gjë e mirë

Ava Max mendon se thyerja e zemrës mund të jetë një “gjë e mirë”.

Këngëtarja 28-vjeçare me prejardhje nga Shqipëria, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Ava Koci – është rikthyer në skenën muzikore me albumin e saj të ri “Diamonds and Dancefloors” dhe ka shpjeguar se edhe pse më parë ishte zotuar se “kurrë” nuk do të shkruante për jetën e saj personale, ajo përfundoi duke e bërë këtë pasi kaloi një ndarje.

“Gjithmonë thosha: Nuk po flas kurrë për jetën time personale, nuk do ta bëj kurrë!. Dhe pastaj vdiqa brenda dhe kjo ishte gjithçka për të cilën mund të shkruaja. Unë i shoh gjërat ndryshe. Thyerja e zemrës është në të vërtetë, po, është e keqe dhe negative, por është gjithashtu një gjë e mirë. Ti ndryshon, bëhesh më i fortë, e shikon jetën ndryshe, i sheh njerëzit ndryshe dhe ju i vlerësoni gjërat më shumë”, ka thënë këngëtarja me famë botërore.

Krijuesja e hitit “Sweet but Psycho” së fundmi zhvilloi një sërë shfaqjesh në Amerikën e Veriut dhe shpjegoi se ajo shpesh ndihet “më rehat” në rrugë sesa në shtëpi, por gjithmonë duhet t’i kushtojë vetes kohë përpara një shfaqjeje.

“Kam bërë të gjitha llojet e shfaqjeve në SHBA dhe ishte kaq e lezetshme t’i bëja natë pas nate. Është e çuditshme. Bëj shumë gjëra, por gjithmonë e kam të ndarë kohën e Avas para se të performoj”, ka thënë ajo duke folur në “The Kelly Clarkson Show”.

Shpërndaje në: