‘Shuplaka’ e Dybalës drejtë Juventusit – Çfarë pritet të ndodh?

‘Shuplaka’ e Dybalës drejtë Juventusit – Çfarë pritet të ndodh?

Dënimi me heqjen e 15 pikëve nga renditja e sezonit aktual, për mashtrim me bilancet, mund të mos jetë i vetmi për Juventusin.

Klubi aktualisht po përballet me një tjetër stuhi, pas “Calciopolit” të 2006-ës, kur u dërgua në Serinë B.

Bardhezinjtë po hetohen për mashtrim me pagat në kohën e pandemisë. Atëherë në klub njoftuan se lojtarët kanë vendosur të heqin dorë nga 4 paga mujore, në formë solidariteti me situatën. Por e vërteta rezultoi ndryshe.

Nga të gjithë komunikimet mes futbollistëve, rezulton se ata në të vërtetë kanë hequr dorë nga vetëm një pagë mujore dhe jo 4 siç u tha në komunikatën e klubit, që bëri gjithçka për të “fshirë” nga bilanci rreth 96 milionë euro.

‘Shuplaka’ e Dybalës

Shuplakën e radhës bardhezinjve ua ka dhënë një ish si Paulo Dybala, që verën e kaluar la Juventusin, për t’u transferuar te Roma e Mourinhos, pasi torinezët nuk i ofruan rinovimin e kontratës.

Sulmuesi argjentinas ka deklaruar se në marrëveshjen e firmosur nuk janë pasqyruar të gjitha pikat e rëna dakord dhe ka sqaruar e në të vërtetë ata kanë hequr dorë nga vetëm një pagë mujore.

“Na kërkuan të heqim dorë nga 4 paga mujore dhe u befasuam, pasi ishin shumë. Pjesa më e madhe e futbollistëve thanë menjëherë jo, duke mbajtur qëndrim të prerë. Më pas na garantuan se tre prej këtyre 4 pagave, do të na kalonin me siguri në sezonin pasardhës. Në të vërtetë ne hoqëm dorë nga vetëm një pagë mujore, por në marrëveshje u shkrua 4”, rrëfen Dybal.

Çfarë pritet të ndodhë?

Ndërkohë që Juventusi po përgatitet për të apeluar dënimin e parë me heqjen e 15 pikëve, organi i prokurorisë pranë Federatës Italiane të Futbollit po heton çështjen e dytë, atë të mashtrimit me pagat.

Gjithçka është e hapur dhe është e vështirë të bëhet një parashikim se çfarë rrezikojnë në të vërtetë bardhezinjtë. Megjithatë specialistët besojnë se do të ketë një tjetër heqje pikësh, që do të komplikonte totalisht sezonin e Juventusit.Objektivi i vetëm i mbetur për skuadrën e Allegrit, është ai i një vendi në zonën Champions, që do të sillte sadopak frymëmarrje për financat e klubit. Një dështim aty, do të ndikonte jo pak në ecurinë e skuadrës edhe në 2-3 sezonet e ardhshme.

Shpërndaje në: