Paparaci: Martin Berishaj mori para edhe nga një tjetër kompani serbe
Afera Berishaj po vazhdon. Ambasadori i Kosovës në Kroaci u shndërrua në një milioner vetëm përgjatë shtatë viteve të fundit. Kjo falë pagesave që mori nga ‘GEN-i’ në Serbi. Për më tepër, ai përfitoi edhe dhjetëra mijëra euro nga një tjetër kompani energjetike në Beograd. Këto elemente e forcojnë dyshimin për lidhjet e forta të diplomatit Berishaj me mafinë energjetike.
Paparaci ka zbuluar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka pranuar mijëra euro prej një kompanie energjetike serbe, përveç GEN-it nga Beogradi.
Paratë janë tërhequr nga vetë ambasadori Berishaj përmes kompanisë “MB Consulting” më 2016. Janë plotë 39 mijë e 600 euro.
Paparaci ka siguruar komplet transaksionet e ndërmarrjes së Berishajt përgjatë viteve të fundit.
Diplomati kosovar ka pranuar mbi 1 milion e gjysmë euro në llogari bankare. I ka tërhequr ato e arsyetimin “për nevoja të biznesit”.
Në mesin e kësaj shume goxha të madhe, vërehen edhe 39 mijë e 600 euro të thata që Berishaj i ka pranuar nga një kompani serbe. Bëhet fjalë për kompaninë “Energize LLC”, si pjesë e “Energize Group”.
Selia e saj gjendet në Beograd. Sipas përshkrimit të ueb-faqes së thuhet se ky biznes ofron projektimin dhe ndërtimin e energjisë diellore.
Paratë në xhirollogarinë e Berishajt janë dorëzuar më 16 qershor, 2016 nga Vladimir Popovic, i cili figuron si drejtor menaxhues i kësaj ndërmarrjeje.
Ndër të tjera, Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.
Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të jetë i paprekshëm dhe në të njëjtën kohë po e gëzon mbrojtjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.
Kurse, rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.
Rrjedhimisht, kompania e Berishajt e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.
Megjithatë, Berishaj nuk figuron drejtor dhe aksionar i kompanisë “MB Consulting” në Kosovë që nga 18 janari i vitit të kaluar.