Legjenda e United “tallet” keq me De Gean: “Më duket se kishte pirë pak”
David De Gea ishte autor i një gafe të pafalshme në ndeshjen e FA Cup ku Manchester United fitoi me rezultatin 3-1 përballë Everton.
Portieri spanjoll pësoi një gol qesharak që erdhi si pasojë e një ngatërrese me këmbë, megjithatë për fatin e 32-vjeçarit gafa rezultoi pa “zarar” duke qenë se shokët e skuadrës ishin në formë.
Gjithsesi, ai episod nuk mund të kalonte pa u komentuar ndërsa legjenda e Manchester United, Roy Keane theksoi se De Gea u duk sikur kishte zbritur në fushë i dehur.
“Është një gabim shokues, sidomos kur vjen nga një portier ndërkombëtar. M’u duk sikur De Gea i kishte kthyer disa gota para se të zbriste në fushë, gabim që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Nëse mund të marr një krahasim është sikur një lojtar të futet në portë në vendin e portierit dhe të gabojë pasi ai nuk është roli i tij. Është e pafalshme”, u shpreh Keane.