Tahir Batatina për ndeshjen Bjellorusi – Zvicër në Novi Sad: Xhaka dhe Shaqiri do të provokohen, kjo ndeshje ish dasht të zhvillohet në Prishtinë

Tahir Batatina për ndeshjen Bjellorusi – Zvicër në Novi Sad: Xhaka dhe Shaqiri do të provokohen, kjo ndeshje ish dasht të zhvillohet në Prishtinë

UEFA ka vendosur zyrtarisht që Bjellorusia ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2024 ta zhvillojë në Novi Sad të Serbisë.

Bjellorusia ndeshjen e parë e zhvillon me Zvicrën pasi janë në të njëjtin grup, e me këtë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të udhëtojnë drejtë Serbisë, shkruan Periskopi.

Bjellorusia është nën sanksione speciale për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës. Ajo nuk lejohet të luajë ndeshje në fushën e saj vendase, por do të duhet ta luajë çdo ndeshje në një vend tjetër.

Por si e vlerëson këtë vendim të UEFA-s trajneri i Llapit, Tahir Batatina?

Ai në një prononcim për Periskopin tha se UEFA duhet të jetë e sigurtë në atë që po bën, pasi do të ketë provokime nga ana e serbëve në drejtim të Xhakës e Shaqirit.

“Mendoj që qëllimi është të relaksohen marrëdhëniet në mes shteteve dhe të vendoset Serbia para një akti që ta shoh se a mundet të organizojë ndeshje të këtij niveli, ku nuk do të jetë e lehtë për t’u organizuar. Por kjo ndeshje duhet të ishte organizuar në Prishtinë dhe jo në Novi Sad, sepse për mendimin tim Xhaka dhe Shaqiri do të provokohen, por sigurisht se ata do të tregojnë maturi dhe këtë ndeshje do ta kalojnë me profesionalizëm”, tha Batatina për Periskopin.

Kujtojmë se dyshja shqiptare e Zvicrës ishin akterët kryesorë për eliminimin e Serbisë në dy botëroret e fundit në fazën e grupeve. Më 2018, Xhaka e Shaqiri shënuan dhe festuan me shqiponjë. Edhe në ndeshjen e fundit në “Katar 2022”, takimi u përcoll me shumë incidente. Madje, Xhaka e festoi fitoren duke mbajtur vesh fanellën e futbollistit tjetër shqiptar të Zvicrës, Ardon Jashari. Serbët këtë e konsideruan provokim të rëndë. A do të jetë siguria në nivel për futbollistët shqiptar?/Periskopi/

Shpërndaje në: