Reagon Mbappe për herë të parë pas finales së humbur

Reagon Mbappe për herë të parë pas finales së humbur

Kylian Mbappe është zotuar se ai dhe Franca do të rikthehen fuqishëm në Kupën e Botës, pas disfatës zhgënjyese në finale të Botërorit Katari 2022 të dielën.

Mbappe shënoi het-trik, duke u bërë vetëm lojtari i dytë në histori që i shënon tri gola në finale, duke i ndihmuar Francës t’i sigurojë vazhdimet dhe pastaj penalltitë.

Por nuk ishte e shkruar për 23-vjeçarin që ta fitojë dy herë radhazi Botërorin, pas Rusia 2018, sepse Argjentina fitoi në penallti 4:2.

Në një reagim një ditë pas ndeshjes në rrjetet sociale, ylli i Paris Saint-Germain u zotuar: “Ne do të rikthehemi”.

Mbappe e fitoi Këpucën e Artë në Kupën e Botës 2022, si golashënuesi më i mirë i turneut, me 8 gola, duke e lënë mbrapa bashkëlojtarin e vet në klub, Lionel Messin e Argjentinës me 7 gola.

Ai i shënoi dy gola për dy minuta në pjesën e dytë të finales në Katar, atëherë kur Francës i duhej më së shumti për ta shmangur disfatën në finale. Së pari nga penalltia, pastaj nga loja e hapur.

Pasi Messi e kaloi Argjentinën në epërsi përsëri në vazhdime, Mbappe shënoi edhe një herë nga penalltia që e fitoi vetë në çastet e fundit, për ta çuar ndeshjen në penallti.

Shpërndaje në: