Asnjë njohje, skandale e acarim raportesh me aleatë – Presidente, kjo është politika e jashtme

Asnjë njohje, skandale e acarim raportesh me aleatë – Presidente, kjo është politika e jashtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot gjatë adresimit të saj vjetor para deputetëve dhe popullit të tërë, pati një përgjigje për kritikuesit se ‘Kosova s’ka politikë të jashtme me Qeverinë Kurti’’. Në fakt, presidentja mendon se Kosova ka politikë të jashtme si asnjëherë më parë. Ajo e sheh politikën e jashtme shumë në nivel. Mirëpo ne përmes këtij teksti, ia rikthejmë në kujtesë presidentes që Kosova s’e ka as edhe një njohje të vetme që gati dy vjet, asnjë anëtarësim nëpër organizata ndërkombëtare. E megjithatë diçka ka. Skandale të njëpasnjëshme, pasivitet e acarim të raporteve me aleatë ndërkombëtarë…

’Kosova s’ka politikë të jashtme po thonë ca zëra, natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme, në fakt më në fund Kosova ka politikë të jashtme…’, është fjalia fillestare e Osmanit sot në Kuvend, të cilët e vazhdon tutje duke sulmuar qeverisjet e kaluara por edhe individë për tendencë të tregtimit të kufijve të Kosovës, shkruan Periskopi

Që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti, diplomacia po çalon në shumë aspekte. Në fakt këtë e thonë edhe njohësit e fushës, por lehtë  kuptohet edhe nga qytetarët e rëndomtë. Periskopi ju sjell në vijim disa nga skandalet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, të udhëhequr nga ministrja Donika Gërvalla, pastaj mos njohjet e deri te acarimi i raporteve me jashtë.

Asnjë njohje që gati dy vjet

Pasiviteti vlerësohet se e ka karakterizuar qeverisjen prej një viti e gjysmë të Qeverisë në aspektin e njohjeve. Pra, vendit tonë nuk i është shtuar asnjë njohje e re, që nga  1 shkurti të vitit të kaluar, nga Izraeli.

Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë, Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Greqia.

E si për ironi, ministrja Gërvalla kishte treguar haptas se nuk e ka prioritet këtë pjesë, që natyrisht i konvenon veç Serbisë, të cilët nuk ndalen me lobim për çnjohje nëpër botë.

”Ka një kohë që s’kemi njohje të reja. Por, njohja në vetvete nuk është elementi kryesor që e përcakton suksesin e politikes së jashtë të Kosovës”. Jemi përqendruar fillimisht në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që veç i kemi njohjet formale, por s’kemi pasur shkëmbim dhe marrëdhëniet nuk kanë qenë të materializuara”, kishte thënë Gërvalla gjatë verës.

E për dallim nga Gërvalla, shefi i saj, kryeministri Kurti prioritet shumë të madh e ka pasur vetëm njohjen e Serbisë. Pra njohjen në qendër në kuadër të dialogut, e cila nuk po arrihet ende.

Asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Përpos njohjeve, në këtë peridhë qeverisjeve s’kemi pasë asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Analistja Donika Emini kishte thënë se Qeveria e Kosovës është dashur që ta shfrytëzojë periudhën njëvjeçare që jetë e gatshme, para shtatorit, për aplikim në organizata si Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Deri tash, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Si dhe tek sot, kryeministri Kurti do të dorëzojë  aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Emini deklaronte e qeveria deri më tash ka folur vazhdimisht për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, e që sipas saj, për momentin janë të paarritshme si dhe pengohen për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rrezikimi i  vizave

Tash kur presidenca çeke ka marrë vendim që kosovarët të lëvizin pa viza nga janari i vitit 2024, para tre javëve për pak sa nuk e humbëm këtë mundësi.

REL raportoi se ishte hequr nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së propozimi për liberalizimin e vizave më 1 janar 2024 për shkak të situatës në veri të vendit.

E për këtë situatë të tensoniuar në veri të Mitrovicës, po kritikohet mjaft shumë Kurti, që nga vendimi për targa, të cilin prap se prap e shtyu, e deri tek kjo e fundit me zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, të cilat po ashtu i shtyu. Mirëpo gjendja e njëjtë po vazhdon të mbetet atje, dhe barrikadat nuk po hiqen ende.

Huqjet e skandalet e  Gërvallës dhe të ministrisë së saj

-Po fillojmë me huqjet teknike nëpër rrjete sociale, ku ministrja Gërvalla shumë shpesh ka ngatërruar flamujt e shteteve apo misioneve për të cilat ka shkruar në Twitter kryesisht.

-Gjatë takimit të saj me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretartin e Shtetit të SHBA’ve, Mattheë Palmer, Gërvalla nuk e vendosi fare flamurin amerikan, por vetëm atë të Kosovës dhe atë të Bashkimit Evropian.

Këtë gabim të saj e ka vërejtur edhe ambasada e SHBA’ve në Kosovë, pasi në komunikatën e tyre zyrtare ata kanë përdorur një fotografi tjetër dhe jo atë të takimit me Schëarz, për dallim nga fotografitë e takimeve me liderët e tjerë politikë.

-Gjatë këtij viti u publikua një video më e vjetër e ministres Gërvalla  ku ajo deklaronte se do të bashkëpunonte me Gjykatën Speciale duke i dërguar dëshmi kundër të akuzuarve shqiptarë në këtë gjykatë.

Marrë parasysh se Gërvalla është kryediplomate, prej saj u kërkua sqarim nëse ka dërguar ose do të dërgojë materiale në Speciale, por ndonëse reagimi i saj nuk ishte eksplicit i qartë, ajo nuk e mohoi se ka bashkëpunuar me Specialen.

-Përpos kësaj, Gërvalla kishte plasuar edhe një deklaratë skandaloze gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB’së për herë të parë si ministre, por në fillim të deklaratës së saj ajo zgjodhi të fliste për Kosovën si vend i zhytur në krim e korrupsion para se t’i përgjigjej deklaratave të homologut të saj serb i cili akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si terroriste dhe fliste zi e terr për pavarësinë e sovranitetin e Kosovës.

“Për herë të parë në cilindo vend të Ballkanit, shumica e votuesve kanë votuar të çlirohen nga korrupsioni dhe krimi. Jemi në një udhëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesat e popullit tonë, për ta bërë vendin tonë të ri, plotësisht të njohur dhe anëtar të respektuar të Kombeve të Bashkuara. Si ministre e jashtme, zëvendëskryeministre e Kosovës, më lini t’iu adresohem me gjithë sinqeritetin e duhur, mund t’i referohemi detajeve të raportit më vonë.”, kishte thënë Gërvalla.

-Në mesin e çështjeve të cilat janë vlerësuat si problematike gjatë qeverisjes së ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është  mosemërimi i krerëve të misioneve diplomatike.

-E ministrja Gërvalla skandalizoi Konsullatën e Përgjithshme në Hamburg në Ditën e Pavarësisë të Kosovës. Ish -Konsulli i Përgjithshëm, Gramos Begolli Begolli, kishte shpjeguar se si kishte pasur përplasje me ministren e Jashtme kur ajo, krejt papritur, ishte paraqitur në organizimin e festës së ditës së pavarësisë së Kosovës në Hamburg.

“Ka ndodhur një incident ose një përfaqësim jo i mirë, pasi në rastin e festës së pavarësisë ministrja Gërvalla ka ardhur pa paralajmërim në konsullatën e Kosovës në Hamburg”, tregon Begolli.

“Me rastin e vizitave të larta me një shtet tjetër, duhet të lajmërohen vizitat e nivelit të lartë. Në bazë të rregulloreve është dashur që ne në konsullatë t’i njoftojmë autoritet gjermane dhe policinë që ta presin në aeroport ministren”.

Gërvalla e kishte shkarkuar konsullin në fjalë.

Ministria e Jashtme dënohet me 13 mijë euro për shkak të Prindon Sadriut

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e ka dënuar me 13 mijë euro Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Kjo pasi që këta të fundit nuk kanë ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit dhe bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut, gjatë periudhës prej muajit shkurt 2019, deri në muajin shkurt të këtij viti.

Kur jemi tek ‘Zotëriu i Parë’, rikthejmë në vëmendje edhe sulmet e tij ndaj mediave, duke i etiketuar si “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

Acarim i raporteve me aleatët

Tendosja më e madhe raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së  ishte acarimi i raporteve në mes të kryeministrit Albin Kurti si dhe emisarit special për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.

SHBA e patën pezulluar Kosovën nga programi për ndihmë ekonomike. “Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit” të njohur si MCC.

Ky avaz pastaj vazhdoi edhe për çështje të tjera, si vendimi për targat, për çka edhe Amerika edhe BE ishin shprehur shumë të zhgënjyera pse kryeministri Kurti nuk i dëgjonte kërkesat e tyre.

E njëjta po ndodh edhe me kërkesën për formimin e Asociacionit, për çka çdo ditë dëgjojmë nga Amerika e BE se duhet të iniciohet formimi i tij, madje së fundmi emisari amerikan, Gabriel Escobar theksoi se nëse këtë nuk e bën Qeveria e Kosovës, ‘e bëjmë ne’.

Sipas deputetit të PDK’së, Xahvit Halitit, gabimi më i madh që do të mund të bëjë kryeministri Kurti, është që të deklarohet kundër qëndrimeve të SHBA-së.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në një deklaratë të tij thoshte  se pavarësisht agjendave politike, qeveria duhet t’i ruajë raportet me partnerët strategjikë, sidomos me SHBA-në./PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: