Marca: Kroacia është bërë elitë futbolli, Serbia dhe vende të tjera as që i afrohen

Marca: Kroacia është bërë elitë futbolli, Serbia dhe vende të tjera as që i afrohen

Gazeta e përditshme spanjolle, Marca, i njohu lexuesit e saj me ekipin kombëtar të Kroacisë. “Kombëtarja e vetme e ish-bllokut komunist, që nga pavarësia e saj në vitin 1991, është bërë elita e futbollit me tri gjysmëfinale në kampionate botërore”, shkruan mediumi spanjoll.

Duke kujtuar udhëtimin e Kroacisë që nga shpallja e pavarësisë, deri tek anëtarësimi në FIFA, Marca shkruan se Kroacia është paraqitur në gjashtë prej shtatë kampionateve botërore. Në gjashtë prej këtyre kompeticioneve, në 50% të rasteve, ekipi kroat ka arritur së paku deri në gjysmëfinale. Në botërorin e Francës 1998, Kroacia zuri vendin e tretë, në Rusi, katër vite më parë, zuri vendin e dytë, kurse sot në mbrëmje do ta kërkojë finalen e Katarit, ku do të përballet me Argjentinën.

Vetëm Gjermania, askush tjetër

Marca pastaj krahason performancën e kroatëve me kombëtaret më të mëdha evropiane dhe arrin në përfundimin se vetëm Gjermania ka qenë më e suksesshme në gjashtë kampionatet e saj të para, duke marrë pjesë në katër gjysmëfinale. Italia e ka bërë dy herë këtë. Spanja, Franca, Anglia dhe Portugalia vetëm një herë në gjashtë përpjkjet e tyre të para.

“Kroatët janë kombi i vetëm që dolën nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe që u bën elita e futbollit botëror”, thekson gazeta, duke rikujtuar se Kroacia ka luajtur në gjashtë prej shtatë kampionateve evropiane.

 “Serbët nuk kanë pasur sukses”

“Asnjë prej 24 ekipeve kombëtare që sot janë në FIFA, që më parë ishin pjesë e Perdës së Hekurt, nuk janë as afër suksesit të arritur nga Kroacia. Në anën tjetër të kufirit, Serbia ka dështuar të prodhojë përzierjen e suksesshme të talentit natyral dhe garues, diçka që e ka bërë Kroacinë një ekip prej së cilit të gjithë kanë frikë”, thotë Marca.

Tutje, aty thuhet se që nga shpërbërja e Jugosllavisë, Serbia vetëm njëherë e ka kaluar grupin në kampionate botërore, prej pesë tentimeve, kurse Bullgaria, e udhëhequr nga Hristo Stoiçkov, vetëm njëherë kishte arritur në top-katërshe, në Botërorin e vitit 1994 në ShBA. “Megjithatë ky sukses u tejkalua nga Kroacia në vitin 2018 që kishte arritur deri në finale”.

Pjesëmarrja e Kroacisë në tri gjysmëfinale të Kupës së Botës që nga vitit 1991 tejkalohet vetëm nga Brazili, Gjermania dhe Holanda. Në periudhën e njetë, këto përfaqësuese kanë qenë në gjysmëfinalen katër herë. Për hirë të krahasimit, Kroacia ka përafërsisht katër milionë banorë, Brazili 214 milionë, Gjermania më shumë se 83 milionë, kursë Holanda 17.5 milionë. /Periskopi/

Shpërndaje në: